zoom

Bota

Zelensky ndryshon qëndrim: Me Trump, lufta mbaron më shpejt

Presidenti ukrainas Volodymir Zelenski është shprehur i sigurt se lufta më Rusinë do të mbarojë më shpejt me Donald Trump si president të SHBAve.

Në një intervistë për mediat vendase, Zelenski tregoi për diskutimin konstruktiv që ai dhe Donald Trump zhvilluan sapo ky i fundit u rizgjodh.

“Është e sigurt se lufta do të përfundojë më shpejt me politikat e ekipit që tani do të udhëheqë Shtëpinë e Bardhë. Kjo është qasja e tyre, premtimi i tyre ndaj qytetarëve të tyre. Lufta do të përfundojë, por ne nuk e dimë datën e saktë. Ukraina duhet të bëjë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, e të përfundojë me mjete diplomatike”.- tha Zelenski.

Zelensky nuk tha nëse Trump kishte bërë ndonjë kërkesë në lidhje me bisedimet e mundshme me Rusinë, por tha se nuk kishte dëgjuar asgjë nga ai, që ishte në kundërshtim me qëndrimin e Ukrainës.

Trump ka thënë vazhdimisht se prioriteti i tij është t’i japë fund luftës dhe të ndalojë atë që ai thotë se është një shterim i burimeve amerikane, në formën e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Trump dhe Zelensky kanë pasur prej kohësh një marrëdhënie të trazuar.
Megjithatë, të dy kanë këmbëngulur për një raport shumë të mirë me njëri tjetrin, pavarësisht dallimeve.

Postime të lidhura