Aplikacion
Deputetja socialiste, Zegjine Caushi ka pranuar blerjen e një apartamenti në Tiranë, ku raportohet se vlera e tij kap shifrën 240 mijë euro, ndonëse deputetja e Kuvendit të Shqipërisë e mohoi këtë detaj, duke thënë se çmimi dhe sipërfaqja e apartamentit janë krejt ndryshe nga ajo që është thënë në media.
Çaushi deklaroi se ka lidhur një kontratë për blerjen e apartamentit dhe se ndërtimi nuk ka nisur akoma.
“Më shiko në sy [Sali Berisha]! Siç dezinformove shqiptarët pak minuta më përpara për Reformën Territoriale, ashtu i dezinformove edhe për shtëpinë time. Ndryshe nga ti Sali, nuk kam privatizuar asnjë pëllëmbë toke shqiptarëve, por kam lidhur një kontratë për prenotim apartamenti, i cili nuk ka nisur, por ti di vetëm të dezinformosh. Ndryshe nga si e ke transmetuar ti në ato mediat e tuaja ku pastron paratë e pista, ndryshe në sipërfaqe dhe ndryshe në çmim,”- tha ajo.
Disa ditë më parë, në rrjetet sociale qarkulloi lajmi se Zegjine Çaushi kishte regjistruar në Hipotekë një apartament me vlerë të deklaruar rreth 240 mijë euro.
Apartamenti ndodhet në Tiranë, te Kullat, Shkolla e Kuqe, në Rrugën Qemal Stafa, në katin e 10-të të një pallati të ri. Prona ka një sipërfaqe prej 128 m² dhe përbëhet nga 3 dhoma, 2 tualete, 2 ballkone./ Zoom.al