zoom

Bota

Vritet në shtëpinë e saj një nga të paktat deputete femra që nuk ishte larguar nga Kabuli

Një ish-deputete afgane dhe truproja e saj janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e saj në kryeqytetin e vendit Kabul, ka thënë policia afgane.

Mursal Nabizada, 32 vjeç, ishte një nga të paktat deputete femra që qëndruan në Kabul pasi talibanët morën pushtetin në gusht 2021.

Vëllai i saj dhe një roje e dytë e sigurisë u plagosën në sulmin të dielën.
Ish-kolegët e vlerësuan zonjën Nabizada si një “kampione e patrembur për Afganistanin”, e cila refuzoi një shans për t’u larguar nga vendi.

Që kur talebanët u kthyen në pushtet në vitin 2021, gratë janë larguar nga pothuajse të gjitha fushat e jetës publike.

Zëdhënësi i policisë së Kabulit Khalid Zadran tha se forcat e sigurisë kishin nisur një hetim serioz për incidentin.

Ish-deputetja Mariam Solaimankhil tha se zonja Nabizada ishte “një pioniere e vërtetë – një grua e fortë, e hapur, e cila mbronte atë në të cilën ajo besonte, edhe përballë rrezikut”.

“Pavarësisht se iu ofrua mundësia të largohej nga Afganistani, ajo zgjodhi të qëndrojë dhe të luftojë për popullin e saj”, shkroi ajo në Twitter.

Zonja Nabizada, nga provinca lindore e Nangarharit, u zgjodh deputete nga Kabuli në vitin 2018 dhe qëndroi në pushtet deri në marrjen e pushtetit nga talebanët.

Ajo ka qenë anëtare e komisionit parlamentar të mbrojtjes dhe ka punuar në Institutin për Zhvillim dhe Kërkim të Burimeve Njerëzore.