Aplikacion
Ish-ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, ka ndërruar jetë këtë të hënë në rrethana që autoritetet ruse po i hetojnë si vetëvrasje.
Ngjarja vetëm disa orë pasi presidenti Vladimir Putin njoftoi shkarkimin e tij nga posti qeveritar.

Sipas një deklarate zyrtare nga Kremlini, Starovoit u lirua nga detyra mëngjesin e së hënës, ndërsa në vend të tij u emërua përkohësisht zëvendësministri Andrey Nikitin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për mediat se shkarkimi “nuk kishte të bënte me mungesën e besimit”, por nuk ofroi asnjë arsye konkrete për vendimin.
Pak orë më vonë, trupi i pajetë i Starovoit u gjet brenda një makine me një plagë të shkaktuar nga armë zjarri. Autoritetet hetuese ruse thanë se pista kryesore është ajo e vetëvrasjes, por hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota.
Roman Starovoit kishte shërbyer më herët si guvernator i rajonit Kursk, një zonë kufitare me Ukrainën që është përballur me sulme të përsëritura gjatë luftës dhe ku ai ishte kritikuar për dështime në menaxhimin e sigurisë./ Zoom.al