zoom

Politikë

Vrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha, reagon për herë të parë Edi Rama

Kryeministri Edi Rama foli për herë të parë për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në Lezhë, ku një oficer policie mbeti i vrarë gjatë detyrës.

Kreu i qeverisë tha se edhe pse boshllëkun në familje nuk e shlyen asgjë, qeveria ka miratuar fondin 170% të rrogës së prindit çdo muaj për fëmijët e Saimir Hoxhës, deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë.

“Është një moment i rëndë për të gjitha forcat tona të Policisë së Shtetit, patjetër edhe për shoqërinë.

Duke i shprehur ngushëllimet familjarëve dhe kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë dëshmor të ri, por dhe të gjithë punonjësve të policisë, e shoh të udhës t’ju bëj me dije se qeveria ka vendosur sot një mbështetje të konsiderueshme financiare për familjen.

Por me të hyrë në fuqi në parlament ligji për fëmijët e Republikës, ata do të marrin rrogën 170% të prindit deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë. Nuk ka fonde materiale që plotëson boshllëkun për familjen, por përgjegjësia e Republikës është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm por të ndjehen deri në fund të mbështetur dhe të përkrahur për të qenë krenarë jo vetëm për prindin por edhe shtetin të cilit babai i shërbeu deri në momentin e fundit,” tha Rama.