zoom

Aktualitet

Vrasja e ish-drejtorit të OSHEE-së/ Vrasësi me pagesë s’pranon të flasë

Vrasja e ish-drejtorit të OSHEE-së/ Vrasësi me pagesë s’pranon të flasë

Dorjan Keqi u arrestua dy ditë më parë, nën akuzë për vrasjen e ish-drejtorit të OSHEE për Veriun, Saimir Jaku, i ekzekutuar në vitin 2016 me një breshëri plumbash në Rrëshen.

Megjithatë, Keqi ende nuk ka deklaruar asgjë mbi akuzat që rëndojnë mbi të, përpara hetuesve. 40-vjeçari po mbahet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Lezhë dhe hetuesit kanë tentuar disa herë ta marrin në pyetje, por ai ka refuzuar të komentojë akuzat, duke deklaruar se do flasë në një moment të dytë.

Në foto: Vrasësi me pagesë

Në foto: Vrasësi me pagesë

Pista kryesore e hetimeve është se Keqi së bashku me dy persona të tjerë ishin paguar nga dikush për të ekzekutuar Jakun, megjithatë ende nuk ka asnjë shenjë që mund të çojë te porositësit e krimit.

Saimir Jaku u ekzekutua me 9 shtator të vitit 2016-të, pasi u sulmua me breshëri automatiku nga dy persona, teksa po pinte kafe në një lokal në Rrëshen bashkë me një mikun e tij, i cili nga të shtënat mbeti i plagosur.

Autorët e ngjarjes, të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona mes të cilëve dhe Dorjan Keqi, arritën të largohen me një automjet tip “Benz”, i cili pas ngjarjes u gjet i djegur në një fshat të Kurbinit./ Zoom.al

Postime të lidhura