Aplikacion
Prokuroria e Lezhës ka shpallur sot pretencën për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i cili akuzohet si autor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.
Gjatë seancës gjyqësore, që zgjati rreth një orë, përfaqësuesit e organit të akuzës kërkuan dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurin. Sipas Prokurorisë, Saraiva është përgjegjës për ekzekutimin e ndodhur në prill 2023 në Shëngjin.
Referuar dosjes hetimore, ai akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ngjarja e rëndë ndodhi brenda një lokali në Shëngjin, ku Ardian Nikulaj u qëllua për vdekje. Sipas akuzës, krimi ishte i mirëorganizuar dhe i planifikuar, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet vendimtar në realizimin e tij.
Në seancat e mëparshme, Prokuroria ka paraqitur prova materiale, dëshmi dhe ekspertiza, të cilat sipas saj provojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje.