zoom

Aktualitet

Vranë 31-vjeçarin shqiptar dhe trupin e hodhën në rezervuar, arrestohen dy bashkatdhetarë dhe një spanjolle! Si u zbulua kufpma

Vranë 31-vjeçarin shqiptar dhe trupin e hodhën në rezervuar, arrestohen dy bashkatdhetarë dhe një spanjolle! Si u zbulua kufpma

Policia spanjolle ka zbardhur ngjarjen e rëndë të vrasjes së një 31-vjeçari shqiptar në Malaga, trupi i të cilit u gjet i hedhur në një rezervuar uji brenda një thesi, i lidhur dhe i rënduar me blloqe betoni.

Sipas hetimeve, tre persona janë arrestuar në lidhje me krimin: dy shtetas shqiptarë të moshës 36 dhe 45 vjeç, të dyshuar si autorë të vrasjes, si dhe një grua spanjolle, e cila dyshohet se ka ndihmuar në krim duke marrë me qira një automjet në emër të saj.

Autoritetet bëjnë me dije se motivi i dyshuar i ngjarjes lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe kontrollin e territorit.

Hetimet tregojnë se viktima, i cili jetonte në Benahavís dhe bënte një jetë luksoze, u josh me pretekstin e një takimi për një transaksion të rremë. Më 12 maj 2025, ai mori një telefonatë nga persona që iu prezantuan si “miq” dhe u ftua në një pikë takimi në Malaga. Pas kësaj, ai hipi në një automjet me dy persona dhe nuk u pa më i gjallë.

Trupi i tij u zbulua më 14 tetor në rezervuarin Casasola në Almogía nga një qytetar që vuri re një thes të dyshimtë në ujë. Brenda tij ndodhej viktima, i lidhur me tela dhe kabuj, ndërsa ishin vendosur edhe blloqe betoni për ta fundosur.

Policia dyshon se rënia e nivelit të ujit gjatë verës bëri që trupi të dalë në sipërfaqe, duke prishur planin e autorëve për zhdukjen e gjurmëve.

Në vijim të hetimeve, autoritetet kanë kryer edhe kontrolle në zonat Vallirana dhe Villafranca del Penedés në Barcelonë, ku u bë edhe arrestimi i të dyshuarve. Sipas policisë, të tre të arrestuarit janë vënë në paraburgim me urdhër të gjykatës dhe përballen me akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se familja e viktimës është kërcënuar nga anëtarë të grupit kriminal për të ndalur kërkimet për të.