zoom

Të gjitha

Kënga e Malit të Zi në Eurovision 2022 përcjell një mesazh shumë prekës

Mali i Zi është rikthyer këtë vit në Eurovision pas tre vitesh mungesë. Vladana Vuçiniq është këngëtarja e përzgjedhur për të përfaqësuar shtetin malazez në Eurovision 2022, me këngën “Breathe”. Artistja e cila është një zë tejet i njohur në Malin e Zi, ka rrëfyer në një intervistë për Telegrafin, emocionet e detyrës që i është besuar, për përfaqësimin e shtetit të saj në këtë konkurs muzikor.

“Është një nder i veçantë të përfaqësoj shtetin tim dhe një emocion i veçantë të këndoj në skenën më të madhe. Dua që të performoj sa më mirë dhe t’i transferoj emocionet tek publiku përmes mesazhit dhe zërit tim”, tha Vladana.

Kënga e saj “Breathe” është një baladë e fuqishme dhe tejet e veçantë për artisten, kjo pasi ajo vjen si dedikim për nënën e saj të ndjerë, të cilën e humbi gjatë pandemisë nga virusi famëkeq, COVID-19.

Përgjatë një bisede të tillë, nuk mund të mungonte pyetja se nëse ajo e ka dëgjuar këngën e Shqipërisë në Eurovision 2022, “Sekret” të interpretuar nga Ronela Hajati. Ajo u pyet dhe për mendimin që ndan për këngëtaren shqiptare.

“E dua Ronelën dhe këngën e saj. Ajo ka kaq shumë energji, dhe kënga është vërtet tërheqëse. Ronela është një femër jashtëzakonisht e fortë dhe shumë argëtuese, u bëmë shoqe sapo u njohëm! Ajo patjetër do të kalojë në finale”, tha artistja malazeze.

Në fund, Vladana dha një mesazh :“Unë vetëm dua që ata të heshtin gjatë tre minutave të mia e të dëgjojnë këngën. Kjo t’u japë një homazh më shumë se gjashtë milion njerëzve që vdiqën dhe atyre familjeve si e imja që kaluan përmes agonisë së virusit jetë-marrës”, përfundoi Vladana. Eurovision 2022 zhvillohet në Torino të Italisë, në arenën e madhe të ‘Pala Alpitour’./L.K

/Zoom.al