zoom

Kosova

Vizita e presidentit Macron në Serbi duhet të alarmojë Kosovën

Presidenti i Francës Emmanuel Macron viziton sot Serbinë, në një vizitë 2-ditore, për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh strategjike.

Ai do të takohet me homologun e tij, Aleksander Vucic në Beograd, me të cilin do të diskutojë mbi shitjen e dymbëdhjetë avionëve luftarakë francezë “Rafale” Serbisë, sipas informacioneve që ka arritur të sigurojë gazeta “Le Monde”.

“Është një kontratë e madhe për vendin tonë dhe nuk është një kontratë e vogël edhe për Francën”, deklaroi presidenti serb në një intervistë për AFP, duke iu referuar një transaksioni që mund të arrijë në 3 miliardë euro.

Serbia, ushtarakisht neutrale dhe kandidate për të hyrë në Bashkimin Evropian, ka vetëm Mig-29 të vjetër sovjetikë. Kjo kontratë mund të jetë një shkëputje nga Rusia, ende në luftë me Ukrainën dhe viktimë e sanksioneve perëndimore.

“Shumica e avionëve tanë, nëse jo të gjithë, të gjithë avionët tanë përgjues dhe të gjithë avionët tanë luftarak erdhën nga Rusia dhe ne duhet të evoluojmë, të ndryshojmë zakonet tona dhe gjithçka tjetër përpara se të përgatisim ushtrinë tonë”, tha presidenti serb.

Por afera e majme për Franën do të duhet të shqetësojë më shumë Kosovën.

Gazeta “Le Monde” ngre një pyetje tepër shqetësuese: Si medon Franca të garantojë që teknologjia e avionëve Rafale nuk do t’i jepet Rusisë nga Serbia apo që avionët të përdoren për t’i bërë presion Kosovës fqinje, pavarësinë e të cilës Beogradi vazhdon të mos e njohë?

“Le Monde” thotë “për muaj të tërë Prisi është treguar i kujdesshëm të mos përgjigjet, ndërsa ka shfaqur shqetësim për të mbrojtur palën serbe në mosmarrëveshjet në rritje me Prishtinën në veri të Kosovës, që popullohet kryesisht nga serbët që refuzojnë të jetojnë nën sovranitetin e shqiptarëve”.

Çështja e Kosovës do të jetë pjesë e diskutimeve mes Macron e Vucic, por ajo që do të duhet ta shqetësojë vërtet Kosovën dhe qeverinë e Albin Kurtit është shitja e duzinës së avionëve me teknologji të avancuar “Rafale”, të cilët Serbia mund t’i ngrejë në fluturim sa herë ka tensione në veri të Kosovës, siç ka bërë deri tani edhe me avionët apo helikopterët e marrë nga Rusia.

Presidenti Macron ka qenë kritik vazhdimisht me qeverinë e Kosovës. Kur protestuesit serbë sulmuan ushtarët e KFOR, vitin e kaluar, ai tha se autoritetet kosovare kishin bërë gabim që organizuan zgjedhjet dhe se ata mbajnë përgjegjësi për situatën. Dhe marrëveshja për shitjen e avionëve mund ta përforcojë lidhjen Macron – Vucic edhe në dëm të Kosovës, siç paralajmëron gazeta më e madhe franceze. /Zoom.al