zoom

Aktualitet

VIDEO/ Transportonte 10 emigrantë, kapet i riu në Delvinë

Një person është vënë në prangat e policisë së Sarandës, gjatë operacionit të koduar “Tatzat”, pasi u kap duke transportuar kundrejt fitimit 10 emigrantë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, kundrejt fitimit, emigrantëve nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Tatzat”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi O.L, 20 vjeç, banues në Sarandë.

20-vjeçari u kap në flagrancë, në afërsi të fshatit Tatzat, Delvinë, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, kundrejt fitimit, 10 emigrantë, të cilët kishin si qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Aktualisht vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.