zoom

Aktualitet

(VIDEO) Nazmi Çangu rrëfen përleshjen me grabitësit/ “Flisnin si nga Laçi, ishin veshur si policë”

Ky është momenti kur grabitësi i parë futet në oborrin e shtëpisë së biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Krujës, më 23 Tetor ora 1 e 26 minuta. Ai provon të hapë 2 makinat e parkuara në oborr, e më tej lëviz pas vilës, hap këtë portë nga futen edhe grabitësit e tjerë.

Pasi kryen detyrën, nxiton të dalë jashtë murit rrethues, siç shihet në këto video të siguruara nga Tv Klan. Janë video të shtëpie ngjitur, pasi kamerat e sigurisë së vilës së biznesmenit Çangu nuk punonin.

Vetë biznesmeni tregon në një intervistë ekskluzive për Tv Klan përballjen e parë me grabitësit e armatosur.

“Më ra dikush në kraharor e më tha “policia e shtetit”, dhe me vendosi automatik te koka. Ishin 3 veta në dhomë, 2 me uniformë policie. Gruaja bërtiste andej…”.

 

Pas këtij momenti ata janë përleshur e më pas e kanë dhunuar biznesmenin për rreth 1 orë, në përpjekje për të detyruar t’u jepte çelësat e kasafortës.

“Jemi përlesh në krevat, e kafshova shumë në dorë njërin prej tyre. Kishin pistoleta… ”

Nuk ka mundur t’i shohë në fytyrë, se mbanin maska. Por i ka dëgjuar teksa flisnin me njëri-tjetrin në radio si ato të policisë e thotë se dialekti ishte ai i zonës së Laçit.

“Kapi radion që e kishte këtu dhe tha “lëvizim shpejt-shpejt!” “po-po”, kaq kam dëgjuar. Kanë fol 2-3 herë. M’u duk si e folur nga Laçi.”

Çangu thotë se nuk kishte pikasur lëvizje të dyshimta në zonë.

“Nuk kam pikas se do të kisha marrë masa. Shpresoj ta zgjidhe shteti, në të kundërt do ta zgjidh privatisht”.

Ndërkohë hetuesit bëjnë më dije se kanë gjetur objekte me të dhëna biologjike, gjurmë gishtat, si dhe një kapuç që dyshohet se i përket njërit prej grabitësve. Provat janë dërguar për ekzaminim në laborator.

Mendohet se autorët kishin kohë që e vëzhgonin lëvizjet e biznesmenit. Kishin dijeni se ai mbante në shtëpi shuma të mëdha parash e madje dyshohet se mund të kenë qenë në dijeni edhe të faktit se kamerat e vilës nuk funksionin për shkak të disa rregullimeve që po kryheshin.