Aplikacion
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur sot, më 13 tetor, një tur zyrtar në Ballkanin Perëndimor, me qëllim nxitjen e procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe promovimin e Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së për periudhën 2024–2027.
Vizita e saj fillon në Tiranë, ku pritet të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryeministrin Edi Rama. Diskutimet do të përqendrohen në hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në BE, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe përmirësimin e lidhjeve rajonale.
Në vijim të vizitës së saj në Shqipëri, von der Leyen do të mbajë një fjalim në Konferencën Rajonale të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, e cila do të zhvillohet pasditen e së hënës. Fjalimi i saj do të vërë në pah angazhimin e BE-së për të mbështetur zhvillimin ekonomik të rajonit dhe për të hapur rrugë të reja për investime strategjike.
Konferenca do të hapet me një fjalim mirëseardhjeje nga Kryeministri Edi Rama, i cili do të theksojë rëndësinë e ngjarjes për zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin ndërrajonal. Më pas, Presidentja e Komisionit Evropian do të mbajë fjalën e saj të hapjes, duke prezantuar vizionin e BE-së për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Pas Shqipërisë, von der Leyen do të vazhdojë turneun e saj në Mal të Zi, ku do të vizitojë qytetin Tivat për të zhvilluar takime me Presidentin Jakov Milatović dhe Kryeministrin Milojko Spajić. Në fokus të diskutimeve do të jenë reformat e brendshme dhe bashkëpunimi rajonal, si shtylla kyçe për përparimin e Malit të Zi drejt integrimit evropian.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Presidentja e KE-së do të vizitojë memorialin e Srebrenicës dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, si dhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krišto. Vizita në Bosnjë pritet të sjellë theks të veçantë në nxitjen e reformave demokratike dhe sundimin e ligjit.
Më 15 tetor, von der Leyen do të ndalet në Beograd, ku do të zhvillojë bisedime me Presidentin Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin Gjuro Macut, duke adresuar përparimin e Serbisë në procesin e integrimit dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit BE–Serbi.
Turneu do të përmbyllet në Prishtinë, ku Presidentja e Komisionit Evropian do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Diskutimet në Kosovë do të fokusohen në përpjekjet për afrimin me standardet e BE-së, procesin e integrimit dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kjo vizitë rajonale vjen në një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor, teksa BE-ja synon të forcojë ndikimin e saj dhe të përshpejtojë integrimin e rajonit në strukturat evropiane, përmes mbështetjes financiare dhe politike. /Zoom.al
“ChatGPT më çoi në prag të vdekjes”, 55-vjeçari padit OpenAI për këshillat mjekësore