zoom

Aktualitet

U tallën me Krifcën, por shihni çfarë ndodh me Akademinë e Çobanëve në Toskana të Italisë

Kur ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca deklaroi se një nga objektivat e saj në këtë pozicion ishte të ngrinte një akademi për barinjtë, ajo u vu në “tabelë qitjeje”.

Pas deklaratës, reagime të shumta ironizuese dhe akuzuese “vërshuan” nga qytetarë, por edhe ekspertë e përfaqësues të opozitës, sipas të cilëve, Frida Krifca po tallej dhe nuk po merrej seriozisht me hallet e vërteta që bujqësia po kalon. Në rrjet nuk munguan as memet.

Por duket se idenë që Frida Krifca nuk e konkretizoi dot e kanë “përqafuar” italianët.

“Skytg24” tregon me anë të një artikulli se në Toskana të Italisë është ngritur Akademia e Çobanëve dhe se interesi për të qenë pjesë është shumë i lartë.

Artikulli i “Skytg24”

Të heqësh dorë nga puna e zyrës për të qenë në kontakt me natyrën? Është një ide që po fiton gjithnjë e më shumë terren, për shembull duke marrë parasysh atë që po ndodh në #Toscana , me edicionin e dytë të shkollës për barinjtë e organizuar nga Parku Kombëtar i Pyjeve Casentino, Monte Falterona dhe Campigna. Për 8 vende të disponueshme, në fakt kanë mbërritur kërkesa të shumta shtesë për anëtarësim, rreth 80.

Ndër këta ka edhe nga ata që tashmë kanë një aktivitet bujqësor,por edhe nga ata që sot bëjnë një lloj pune krejt tjetër dhe dëshirojnë të ndryshojnë jetën e tyre.

Kërkesat për pjesëmarrje, siç nënvizon “Il Fatto Quotidiano”, aplikantët kanë ardhur nga zona të ndryshme, nga Lombardia në Veneto, por edhe nga Siçilia e Sardenja. Këtë e ka konfirmuar presidenti i Parkut, Luca Casentini.

“Ka nga ata që deri dje punonin inxhinier ose bënin ndonjë punë tjetër para kompjuterit dhe tani duan të punojnë në ajër të hapur. Mosha e kandidatëve varion nga 18 deri në 50 vjeç. Natyrisht ne priremi të favorizojmë më të rinjtë dhe ata që kanë një lidhje të caktuar me këtë profesion ose tashmë kanë një punë në botën e gjelbër”, nënvizoi ai.

Çfarë ofron shkolla? Do të ketë mësime teorike dhe praktike si dhe një periudhë praktike. Siç thuhet në faqen e internetit të institucionit, projekti përfshin “krijimin e një shkolle trajnimi për barinjtë dhe mbarështuesit e rinj, objektivi kryesor i së cilës është të ndihmojë në luftimin e qarkullimit të dobët të brezave që prek këtë sektor, veçanërisht në zonat malore”.

Kursi i trajnimit do të ofrojë informacion të dobishëm për fillimin e një aktiviteti të ri në këtë sektor, pa harruar problemet aktuale me të cilat duhet të përballen në mjediset malore. Kurset do të mbahen nga mësues, studiues dhe ekspertë.