zoom

Aktualitet

Tragjedia e Shkodrës, detajet e një kronike të errët! Çfarë ndodhi dhe kriza e familjes shqiptare

Tragjedia e 2 Majit në Shkodër, ku pothuajse u shua një familje, jo vetëm shokoi opinionin mbarëshqiptar për natyrën tronditëse dhe detajet e publikuara deri tani, por u bë objekt edhe i trajtimit të mediave ndërkombëtare dhe deri analizave psiko-sociale.

Dhe duket se plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare aktualisht mbetet ajo sociale. Tronditja e themeleve të familjes shqiptare me shifra alarmante të dhunës në familje dhe divorceve, (një në katër çifte sipas statistikave), depresioni i shkaktuar nga situata e pafavorshme ekonomike, e sigurisë, strategjive afatgjata të qeverisë për të zgjidhur problematika deri dhe familjare, por edhe ligjeve të dobëta, ose që nuk zbatohen.

Teksa bëhet gati një javë nga ngjarja e kobshme e flijimit të dyshuar të nënës Alma Arrazi (Bushati), 38 vjeçe, me 3 fëmijët e saj të mitur, 3-9 vjeç, dy vajza dhe një djalë, sot po i jepet lamtumira e fundit tre viktimave që u gjetën më vonë nga vajza e madhe. Ceremoni mortore të ndara, që nxjerrin në pah problemet e thella familjare dhe shkaqet që çuan nënën e re në aktin ekstrem.

Një familje e shuar pothuajse tërësisht, me 4 të vdekur dhe kryefamiljarin Erdgys Arrazi në burg, i akuzuar si shkaktar i tragjedisë.

Dhe drama thellohet nga deklaratat e dy familjeve, të viktimës dhe të të dyshuarit. Alma do varroset në Durrës, pranë nënës së saj të ndjerë, kurse dy fëmijët aty ku u përcoll 9-vjeçarja tre ditë më parë. Familje e ndarë edhe pas vdekjes, ashtu sikurse kur ishte e gjallë.

Dhe faktori kryesor duket se ka qenë një lidhje jashtëmartesore e të dyshuarit me një vajzë të re. Duke mos zgjedhur rrugën e divorcit, 41-vjeçari akuzohet se ka krijuar lidhje paralele intime, madje deri në bashkëjetësë, duke e vrarë dy herë familjen: gruan e tij dhe 3 fëmijët.

Madje sipas familjarëve, disa nga fjalët e fundit të Almës kanë qenë “e arrita ta shoh këtë ditë me sytë e mi, e prisja edhe këtë…”, duke iu referuar momentit kur mendohet se ka parë Erdgysin me të dashurën e re, orët e fundit të jetës.

Por duket se problemet familjare nuk kanë nisur tani, pasi Alma trajtohej për ankth dhe luhatje humori sipas mjekut psikiatër të Shkodrës. Por nuk kishte probleme të shëndetit mendor. Erdgysi duket se kishte gjetur zgjidhje të mbante dy gra; një për fëmijët me letra dhe tjetrën si të dashurën e zemrës, me të cilën pretendonte të bënte familje në të ardhmen.

Alma sipas rrëfimit të babait, nuk donte të divorcohej pasi nuk ndahej dot nga fëmijët e saj, edhe pse ligji shqiptar ia njeh kujdestarinë nënës.

Sipas psikologëve dhe hetuesve, ngjarjet e fundit kanë rënduar psikologjikisht 38-vjeçaren. Në fillim konfirmimi i faktit se i shoqi kishte një lidhje dhe më pas fakti se ai flinte vetëm kohët e fundit. Dhe për t’i vënë kapakun historisë, një video apo fotografi sipas vëllait të Almës, që ajo kishte parë së fundmi; të shoqin me vajzën e re me të cilën ai e tradhtonte apo do ia sillte asaj në shtëpi!

Babai i të ndjerës tregoi se iu lut që të divorcohej, por Alma i kishte thënë se nuk jetonte dot pa fëmijët e saj. Dhe se nuk donte t’ia linte “tjetrës” t’i rriste krijesat e saj”. Ishte një zhvillim që ajo nuk do e përballonte dot. Dhe duket se edhe fëmijët e përjetonin keq situatën familjare, të mërzitur se do u vinte apo do i rriste një njerkë.

Ajo që nuk kuptojnë dot ekspertët dhe psikologët, është fakti se si me një motiv jo shumë të fortë, nëna e re vendosi edhe për jetën e 3 vogëlushëve të saj. Ose momenti kulminant i hedhjes së bashku, apo më parë të fëmijëve dhe në fund vetë, në rrjedhën e Bunës.

Një akt që sipas analistëve të fushës mbetet i paimagjinueshëm dhe i vështirë për t’u shpjeguar.

Kunata e Almës, nusja e vëllait të Erdgysit, ka thënë se ato kishin pirë kafe së bashku dhe kur u ndanë ajo ishte e qetë dhe u iku me fëmijët.

Ishte dita e 2 Majit kur sipas hetimeve ka ndodhur ngjarja tragjike. Një ditë më pas, 3 Maj, Ergys Arrazi i shqetësuar, pasi ishte interesuar tek të afërmit dhe familja e gruas, i ishte drejtuar Policisë për të denoncuar humbjen pa gjurmë të 38-vjeçares dhe 3 fëmijëve.

Ai ka thënë se nuk kishte konflikte dhe s’i dinte motivet. Por tragjedia nisi të merrte formë në datën 4 maj, teksa u forcuan dyshimet për një akt flijimi. Dhe një peshkatar që zbuloi trupin e vajzës 9-vjeçare, Ergesës, pak metra nga vendi i rrjedhës ku kishte ndodhur ngjarja.

Kërkimet nisën menjëherë pas denoncimit dhe u analizuan filmimet teksa Alma dhe fëmijët u panë duke shkuar në zonën e urës së Bunës.

Trupi i parë dhe rrëfimi dramatik i peshkatarit, që tha se kujtoi se ishte një kukull, ishin prova e parë se nëna dhe tre fëmijët kishin kryer aktin ekstrem. Gjetja e trupit të 9-vjeçares solli menjëherë arrestimin e babait Erdgys Arrazi. Ky i fundit mohoi akuzën për dhunë në familje, teksa reagimet nga familja e viktimave ishin të forta. Akuza për dhunë psikologjike dhe fizike, si dhe lidhje jashtëmartesore. Babai i Alma Arrazit tha se Erdgysi kishte prej kohësh probleme me tradhtinë bashkëshortore ndaj vajzës së tij dhe se ishte betuar në varr se nuk do e bënte më. Alma për të mos prishur familjen kishte vijuar.

Prokuroria konfirmoi arrestimin e Arrazit, teksa Policia, Mbrojtja Civile, FNSH-të dhe të hënën Ushtria bashkë me homologët e Malit të Zi, zgjeruan kërkimet në vijën lumore të Njësive Ana e Malit dhe Dajç, deri në det dhe kufirin ujor me Malin e Zi. Të hënën pasdite u gjet trupi i fëmijës 3-vjeçar, aty ku besohej se ishin edhe trupat e tjerë.

Po të hënën, vëllai i Erdgysit bëri rrëfimin tronditës se ata kishin hapur dyert e mortit dhe kishin bërë gati 4 arkivolë. Ishin të bindur se Alma dhe fëmijët ishin vetëmbytur në Bunë. Dhe teksa kërkimet vijonin, u mbajt edhe ceremonia mortore e 9-vjeçares në Shkodër.

Familja e Almës mungoi dhe shpjegoi se ishin të paftuar në mort, duke paralajmëruar se trupin e 38-vjeçares pasi të gjendej do e tërhiqnin për ceremoni në Durrës.

Një tjetër fakt ky se dy familjet nuk kanë shkuar mirë prej kohësh, për pasojë të veprimeve të dhëndrit.

Të martën ishte trupi i vajzës tjetër që u gjet i pari dhe më tej policia malazeze që konfirmoi se kishte gjetur edhe trupin e nënës, në vijën ndarëse kufitare, duke sinjalizuar Mbrojtjen Civile. Rreth 100 forca kërkim-shpëtimi të institucioneve të sigurisë morën pjesë në kërkime, bashkë me banorët e zonave dhe familjarët. Rreth 13 mjete patrulluan, si dhe grupi i palombarëve të RENEA-s.

Paraqitja për njohje në Morg konfirmoi identitetet. Paralelisht motra e Almës dha detaje tronditëse, ashtu sikurse ditët e para, që nxorën në pah problemet dhe shkaqet e tragjedisë. Ajo tha se motra e saj vuante nga uria prej kohësh dhe s’kishte bukë për fëmijët, kurse i shoqi i prishte lekët me të dashurën. Në të njëjtën kohë konfirmoi se ceremonia e Almës do bëhej në Durrës.

Erdgys Arrazi sot kërkoi leje për të marrë pjesë në ceremoninë e dy fëmijëve të tij, që deri tani i është refuzuar, edhe pse Prokuroria ka shprehur dakordësi paraprake. Ai ndodhet me masën “arrest me burg” nga Gjykata, për dhunë në familje, akuzë që e mohon.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë, edhe pse motivi, rrethanat dhe faktorët janë të qartë. Gjithsesi paralelisht mblidhen informacione nëse ka pasur edhe faktorë të tjerë në këtë ngjarje, derisa hetuesit dhe ekspertët të binden se ishte akt flijimi në grup, pa shenja dhune apo force të jashtme. Kjo edhe për faktin e problematikave apo konflikteve të të dyshuarit Arrazi më hershëm, duke verifikuar edhe një pistë të mundshme hakmarrjeje apo krimi në familje.

Dhe pavarësisht të gjitha detajeve dhe dinamikës më sipër, ngjarja e Shkodrës mbetet një nga më të errëtat e tre dekadave në Shqipëri, që tregon qartë se familja shqiptare është tronditur në themele. Jo vetëm janë dëmtuar vlerat e saj, por përjeton depresionin e kohëve që jetojmë, e nxitur edhe nga problematikat social-ekonomike.

Dhe faktor plotësues i kësaj mbetet numri i lartë i proceseve gjyqësore për urdhra mbrojtjeje në Gjykata, denoncimet për dhunë në familje, krimet në familje me pasoja tragjike dhe numri i lartë i divorceve. Sipas statistikave zyrtare Gjykatë-Prokurori, ka rritje me 10% nga viti në vit të dhunës në familje. Mbi 2500 raste denoncimesh të kësaj dhune denoncohen në Polici dhe Referohen mes Prokurorisë dhe Gjykatës.

Por jo vetëm kaq, sepse edhe numri i kërkesave për divorce mesatarisht vitet e fundit shkon në 1500-2000 kërkea për vit, për zgjidhje martese dhe përfundim procesi. Afërsisht sa rastet e dhunës së denoncuar në familje.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitet 1990 kishte 9 divorce për 100 martesa, ndërsa në vitin 2015, ishin rreth 25 divorce për 100 martesa, kurse tani raportohen rreth 30 divorce për 100 martesa mesatarisht, ose një në 4 çifte që shkojnë në divorc. Por ka edhe më keq, krimi në familje, pasi mesatarisht sipas statistikave, çdo muaj vdes një person, kryesisht grua, nga krimi në familje.

10-15 raste vrasjesh në familje regjistrohen në Shqipëri, pa llogaritur vetëvrasjet e nxitura nga ky fenomen kriminal. Pothuajse në nivele alarmante mbeten edhe shifrat e vetëvrasjeve, në rrethana dhe shkaqe të ndryshme. Mesatarisht në vend ndodhin çdo vit mbi 150-180 akte flijimi me mbytje, varje, armë zjarri apo të ftohta dhe helmim. /ZOOM.AL/