zoom

Aktualitet

U kap me drogë/ Agim Kajmaku bleu pasurinë 1 mln lekë dhe ia shiti vetes 730 mijë USD

Ish kryetari i Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku, i cili u kap me 20 kg kokainë nga autoritetet italiane, ka blerë një pasuri të paluajtshme me vlere 1 milionë lekë, pasuri të cilën më pas ia ka shitur kompanisë së vet me vlerë 730 mijë USD.Kajmaku deklaron se në vitin 2003 ka blenë në Vorë një ndërtesë me sipërfaqe me 356 m2 si dhe tokë truall me sipërfaqe 2100 m2, me vlerë 1 milionë lekë. Në shkurt të vitit 2017, Kajmaku e ka rivlerësuar këtë pasuri në vlerë 73 milionë lekë ose rreth 730 mijë USD. Një muaj më pas, në mars të vitit 2017, Agim Kajmaku ia ka shitur këtë pasuri kompanisë ‘Kajmaku’ shpk, në vlerë 730 mijë USD. Bashkëpronarë të kompanisë ‘Kajmaku’ shpk ishin pikërisht Agim Kajmaku me 49 % të aksioneve dhe bashkëshortja e tij, Merita Kajmaku. Pasi u zgjodh kryebashkiak i Vorës, në korrik të vitit 2019, Kajmaku ia shiti 49 % të aksioneve bashkëshortes së tij Merita Kajmaku në vlerën 100 mijë USD.

Ndërkaq, Agim dhe Merita Kajmaku deklarojnë një pasuri në total me vlerë 2.5 milionë USD, pa llogaritur kapitalin e kompanisë e Kajmaku, me emër të ndryshuar në A.M.E 2020, me vlerë rreth 20 milionë lekë ose 200 mijë USD. Si burim i llogarive bankare dhe pasurive të paluajtshme, Agim dhe Merita Kajmaku deklarojnë kursime familjare si dhe të ardhura nga aktiviteti i biznesit përmes kompanisë së farërave dhe fidanëve A.M.E 2020. Të ardhura nga biznesi konsiderohet ndarja e fitimit nga veprimtaria vjetore e kompanisë. Dividenti i ndarë nga aktiviteti i kompanisë Kajmaku është modest, që do të thotë se baza kryesore e burimit të pasurisë janë të ardhurat familjare.

Ish kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku u arrestua nga policia italiane për trafik droge më 27 maj të 2022. Kur u kap me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto, Kajmaku ishte së bashku me nipin e tij. Dajë e nip, njëri banues në Itali dhe tjetri në Shqipëri akuzohen për trafikimin e lëndëve narkotike./ReportTV