zoom

Aktualitet

U arrestua gjatë përleshjes me KFOR në veri të Kosovës, lirohet një nga serbët

Radosh Petroviq, i cili u arrestua më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës, gjatë përleshjes ndërmjet serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, është liruar nga qelia.

Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) familjarët e tij, duke thënë se është paguar garancia.

Petroviq akuzohet nga Prokuroria e Kosovës se ka kryer veprat penale “bashkim për veprime kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit mbi rendin kushtetues të Kosovës, rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe për “sulm ndaj zyrtarëve”.

Në ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka konfirmuar se Petroviç është liruar nga paraburgimi.

“Drejtësia fitoi, Radosh Petroviç është lënë në liri! Pse u paraburgos 26 ditë kur të gjithë e dinë se ai nuk ishte fajtor dhe për këtë ka prova?”, ka shkruar Petkoviç në llogarinë e tij në Twitter.

Ai shtoi se të gjithë serbët e arrestuar “duhet të lirohen”.

Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb për shkak të sulmit ndaj KFOR-it, rendin kushtetues të Kosovës apo sulmeve ndaj gazetarëve.

Tensionet në veri të Kosovës u ngritën më 26 maj, kur policia e Kosovës asistoi në marrjen e objekteve komunale për t’u siguruar hapësirë për të punuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Kjo u kundërshtua ashpër nga popullata lokale serbe, sepse pas bojkotit të zgjedhjeve të 23 prillit, nuk i pranojnë rezultatet.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe me atë rast u plagosën rreth 80 persona nga të dyja palët.

Që atëherë, serbët kanë protestuar çdo ditë para objekteve komunale në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok me kërkesën që kryetarët e rinj të mos vijnë në punë dhe që policia të tërhiqet.

Komuniteti ndërkombëtar po kërkon de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës dhe kthimin në dialog për normalizimin e marrëdhënieve. /REL