zoom

Ekonomi

Turistët vendas mbajtën gjallë turizmin gjatë 2020-s. Në Shqipëri erdhën 2.7 mln të huaj

Turizmi gjatë 2020-s ishte një ndër sektorët më të goditur nga efektet e pandemisë e cila nxiti pushimet brenda vendit.

Sipas raportit “Turizmi në shifra” të publikuar sëfundmi nga INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë qenë afërsisht 2.7 milionë persona në vitin 2020 ,58.5 % më pak se viti 2019 i cili deri tani konsiderohet si viti më i mirë i turizmit.

Hyrjet e shtetasve nga rajoni i Europës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 98.5 % të totalit.

Turistët nga Kosova ishin ata që nuk na braktisën dhe e mbajtën gjallë këtë sektor dhe zënë hyrjen më të lartë të shtetasve të huaj prej 52%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 14%, Greqia me 8%, Mali i Zi me 7% dhe turistët nga Italia me 5%.

Sipas raportit, në vitin 2020, janë regjistruar 1.4 % më shumë udhëtime për pushime dhe kohë të lirë në Shqipëri, krahasuar me vitin 2019. Destinacionet më të preferuara për udhëtime (personale apo biznesi) në Shqipëri janë: Tiranë, Vlorë dhe Durrës.

Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 98.8 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 1.2 % të tyre.

Në udhëtimet e kryera në Shqipëri: 50.6% e udhëtarëve janë femra dhe 49.4% janë meshkuj. Udhëtarët e grupmoshës 25-34 vjeç kanë regjistruar përqindjen më të lartë të udhëtimeve të kryera brenda vendit, 22.0%. Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 3.97 netë.

Në vitin 2020, me rrugë ajrore kanë mbërritur afërsisht 270 mijë shtetas të huaj, duke rënë me 65.6 %, krahasuar me një vit më parë.

Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet linjave ajrore zënë mesatarisht 10.2 % të hyrjeve gjithsej.

Numri i shtetasve të huaj që mbërrijnë në Shqipëri me linjat detare ka qenë afërsisht 64 mijë duke rënë me 86.3 %, krahasuar me një vit më parë.

Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet linjave detare zënë mesatarisht 2.4 % të hyrjeve gjithsej. Numri i shtetasve të huaj që mbërrijnë në vendin tonë nëpërmjet tokës ka qenë afërsisht 2.3 milionë, duke rënë me 54.9 %, krahasuar me një vit më parë.

Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet tokës zënë pjesën më të madhe me 87.4 % të hyrjeve gjithsej gjatë vitit 2020.

Në vitin 2020, numri i vizitorëve të huaj me netë qëndrimi (ku përfshihen vizitorët që qëndrojnë të paktën një natë në hotel apo në struktura akomoduese të tjera, tek të afërmit, shtëpitë e tyre, etj) është rreth 2.5 milionë duke rënë me 57.4 % krahasuar me një vit më parë. Ndërsa numri i vizitorëve  ditorë është rreth 54 mijë duke rënë me 80.4 %  krahasuar me një vit më parë.

Ndikimi i turizmit në ekonomi

INSTAT ka bërë një përllogaritje të ndikimit të turizmit në ekonomi.

Gjatë vitit 2020 në vendin tonë erdhën rreth 2.7 milionë shtetas të huaj, dëshirat dhe nevojat e të cilëve u plotësuan nga rreth 55 mijë të punësuar vetëm në aktivitetet e lidhura direkt me turizmin (NVE Rev.2. 2-shifrore 55; 56; 77; 79) që do të thotë çdo i punësuar në këto aktivitete i shërbente dhe kujdesej për rreth 49 vizitorë të huaj.

Vlera e shtuar e industrive të turizmit ka rënë me 33.9 %, krahasuar me vitin 2019.

Pesha që zënë industritë e lidhura drejtpërdrejt me turizmin në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2020 është 2.3 %.

Kapacitetet akomoduese

Në vitin 2020, në gjithë vendin funksionuan 1.469 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha  malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) dhe janë vënë në dispozicion rreth 40 mijë dhoma dhe rreth 95 mijë shtretër.

Gjatë vitit 2020, industria e turizmit ka ofruar mesatarisht:

rreth 33 shtretër në dispozicion të 1.000 banorëve;

50 % e shtretërve janë shfrytëzuar (netë qëndrime) nga jo-rezidentët;

kapacitetet maksimale janë vënë në dispozicion gjatë muajit Gusht (rreth 33 mijë dhoma dhe 81 mijë shtretër);

tremujori i tretë ka patur normën e shfrytëzimit më të lartë të shtretërve, rreth 18.4 %.