zoom

Bota

Trump kërcënon me tarifa çdo vend që tregton me Iranin: Vendimi është përfundimtar!

Trump kërcënon me tarifa çdo vend që tregton me Iranin: Vendimi është përfundimtar!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ndërmarrë një hap të ri për të rritur presionin ekonomik dhe diplomatik ndaj Iranit, duke paralajmëruar vendosjen e tarifave të rënda ndaj çdo vendi që vazhdon të mbajë marrëdhënie tregtare me Republikën Islamike.

Në një postim të publikuar në platformën Truth Social, Trump bëri të ditur se çdo shtet që kryen shkëmbime tregtare me Iranin do të përballet me një tarifë prej 25% për çdo transaksion ekonomik që realizon me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, masa hyn në fuqi menjëherë dhe nuk do të ketë përjashtime apo hapësira për negociata.

“Që tani e tutje, çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë prej 25% për çdo transaksion me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky vendim është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkroi Trump.

Ky vendim shënon një ashpërsim të ndjeshëm të politikës amerikane ndaj Teheranit, duke e zhvendosur fokusin e sanksioneve jo vetëm te Irani, por edhe te vendet e treta që zgjedhin të ruajnë lidhje ekonomike me të. Në thelb, Uashingtoni synon të thellojë izolimin ndërkombëtar të regjimit iranian, duke i vënë aleatët dhe partnerët tregtarë të SHBA-së përballë një zgjedhjeje të vështirë ekonomike dhe politike.

Edhe pse pa i përmendur drejtpërdrejt, Trump duket se i referohet vendeve si Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut, të cilat vijojnë të kenë marrëdhënie ekonomike dhe strategjike me Iranin.

Më herët, Donald Trump ka thënë se Irani e ka kontaktuar për të kërkuar negociata, pas kërcënimeve të tij për veprime ushtarake nga SHBA-ja.

Trump tha se ai dhe ushtria po shqyrtojnë disa opsione shumë “të forta” lidhur me Iranin, pasi paralajmëroi udhëheqësit iranianë që të mos vrasin protestuesit.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se mijëra persona janë arrestuar dhe se protestat vazhdojnë në qindra vende, pavarësisht pranisë së madhe të forcave të sigurisë./ Zoom.al

Postime të lidhura