zoom

Aktualitet

Tritoli i ishte vënë poshtë sediljes. Çfarë po i shpëton policisë për atentatin ndaj Sadikajt

Dhjetëra CD me qindra orë filmime të kamera të sigurisë qëndrojnë në zyrën e prokurorëve të Tiranës që po hetojnë atentatin e 11 qershorit në afërsi të TEG.

Disa prej tyre janë parë imtësisht. Shumë të tjera janë për t’u kaluar në duart e grupit hetimor.

Ku dhe kur iu vendos tritoli makinës së Aleksandër Sadikajt? Prokurorët kanë shpresë t’i gjejnë në këto filmime përgjigjet e këtyre pyetjeve, të cilat mund t’u jepnin një fije shprese për gjetjen e ekzekutorëve të planit apo porositësve të tij.

Por atentatorët duket se kanë menduar më së miri çdo veprim, për të mos lenë gjurmë dhe për të shmangur edhe kamerat e sigurisë. Askush nga grupi hetimor nuk di të thotë se në ç’rrugë apo parking ishte makina tip Golf 8 e 27 -vjeçarit në momentin kur vrasësit i vendosën pakon me tritol.

Ajo çfarë i ka shtuar paqartësitë është vendi se ku ishte vënë sasia e tritolit, e lidhur me një detonator të komanduar në distancë.

Zoom.al mëson se pakoja me eksploziv ndodhej poshtë sediljes së Sadikajt dhe jo në pjesën e poshtme të makinës apo në motorrin e saj.

Atentatorët dyshohet se e kanë hapur makinën me mjete të posaçme dhe Sadikaj nuk ka mundur ta vërë re. Nuk përjashtohet mundësia që të kenë shfrytëzuar momentin kur ai mund ta ketë lënë në ndonjë lavazh. Por deri tani, nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë, ky variant nuk është vërtetuar.

Prokurorët janë të bindur se ata që kanë vendosur tritolin poshtë sediljes së shoferit kanë ditur me përpikmëri çdo lëvizje të Sadikajt. E kanë ndjekur për ditë me radhë. Nuk përjashtohet mundësia të jenë të njohur të tij.

Të gjitha këto dyshime e kanë çorientuar grupin hetimor. Deri tani ata nuk kanë asnjë pistë tek e cila mund të besojnë se do t’i çojë drejt zbardhjes së krimit. Disa hetime të kryera mbi aktivitetin e 27 -vjeçarit jashtë vendit, nuk kanë dhënë rezultat. Ai nuk ka udhëtuar jashtë Shqipërisë vitet e fundit. Disa kontakte me jashtë nuk ekzistojnë më. Disa lidhje të vjetra me Greqinë, me disa trafikantë droge,  rezultojnë të shkëputura që para 4 vjetësh.

Disa përgjime me nënën e tij, në kohën që ajo hetohej për shfrytëzim prostitucioni, tregojnë se ai mbante gjithnjë një armë pa leje, një pistoletë. Ndoshta të njëjtën që iu gjet në brez ditën e hedhjes së makinës së tij në erë.

Për një atentat të këtyre përmasave, Aleksandër Sadikaj konsiderohet për policinë si dikush shumë i parëndësishëm. Për një ekzekutim të këtyre përmasave, ai do të duhet të ishte dikush me një të shkuar të madhe kriminale, një e shkuar tek e cila prokurorët nuk po gjejnë asgjë që t’i lidhjë me vrasjen. /Zoom.al