zoom

Bota

Tre vjet Brexit – probleme dhe shqetësime të reja

Tre vjet pas Brexit-it përfundimtar, pasojat e daljes së Britanisë së Madhe nga BE vazhdojnë t’u hapin probleme bizneseve në të dy anët. “Ndër viktimat kryesore të Brexit-it janë bizneset e vogla, të cilat shpesh janë dorëzuar”, tha ambasadori gjerman në Londër Miguel Berger për agjencinë gjermane të shtypit. “Për kompanitë e mëdha, kjo përfaqëson një kosto të caktuar, por ato janë mësuar ta menaxhojnë atë.”

Tregtia dypalëshe vlerësohet sa ka rënë me 10 deri në 15 për qind që nga Brexit-i. Britania e Madhe nuk është më ndër dhjetë partnerët kryesorë tregtarë të Gjermanisë.

Britania e Madhe u largua nga BEnë fund të janarit 2020. Që nga 1 janari 2021, Britania nuk është më anëtare e bashkimit doganor të BE-së apo e tregut të brendshëm. Kjo shkaktoi vonesa të konsiderueshme në tregti, veçanërisht në fillim.

Mungesa e sinkronizimit

Kreu i Dhomës Gjermano-Britanike të Tregtisë dhe Industrisë (AHK) në Londër, Ulrich Hoppe, tha për dpa se ekonomia ndërkohë ishte përshtatur në pjesën më të madhe me kushtet e reja. Tregtia po rritet përsëri, duke dhënë shpresë për të ardhmen se një pjesë e rënies për shkak të Brexit-it mund të kompensohet në afat të mesëm. Industritë si energjia e rinovueshme në veçanti kanë potencial, tha Hoppe. “Ekspertiza teknike gjermane mund të ndihmojë në realizimin e potencialit të madh të energjisë së rinovueshme në Britaninë e Madhe.”

Megjithatë, eksportuesit e ushqimit të BE-së mund të përballen me probleme të reja. Pas disa shtyrjeve, Britania e Madhe tani dëshiron të vendosë kontrolle të importit për produktet shtazore dhe bimore.
Sigurisht, ato do të paraqesin sfida për këtë sektor, por ndikimi i rregulloreve të reja në të gjithë ekonominë gjermano-britanike është mjaft i vogël,” tha Hoppe. Nga ana e tij, York-Alexander von Massenbach i Dhomës Britanike të Tregtisë në Gjermani (BCCG) tha se vlerësimi i pritshëm i rrezikut të mallrave do të përfshijë punë shtesë organizative dhe vonesa.

Besimi i britanikëve në supermarketet e tyre është në nivelin më të ulët historik, sipas një sondazhi. Nga frika se çmimet do të rriteshin më tej, qeveria konservatore i shtyu pesë herë me radhë kontrollet e Brexit për ushqimet e BE-së.

Të planifikuara fillimisht për në tetor 2023, faza e parë e modelit të ri të kufirit nuk do të hyjë në fuqi në janar 2024, sipas qeverisë britanike. “Për t’u dhënë palëve të interesuara më shumë kohë për t’u përgatitur për kontrollet e reja, planet e rishikuara do të zbatohen për kontrollet pasuese”, u bë e ditur.

Produktet shtazore dhe bimore klasifikohen në tre kategori të ndryshme rreziku: i ulët, i mesëm dhe i lartë. Klasifikimi merr parasysh si llojin e mallit ashtu edhe vendin e origjinës. Në varësi të kësaj, kërkesat e importit ndryshojnë. Ndikimi në importet nga BE-ja varet nga grupi i produkteve: për shembull, për produktet shtazore të kategorisë me rrezik të mesëm kërkesat janë rritur, ndërsa për produktet bimore me rrezik të ulët janë ulur./ DW