Aplikacion
Me urdhër të Presidentit amerikan Donald Trump, Garda Kombëtare ka zbarkuar në rrugët e Los Angeles, si përgjigje ndaj situatës së trazuar në qytet.
Grupi i parë i rreth 2 mijë ushtarëve është vendosur pranë qendrës së paraburgimit në qendër të qytetit, ku mbahen emigrantët e paligjshëm pas ndalimit nga autoritetet federale.
Duke komentuar zhvillimet e fundit, Presidenti Trump theksoi vendosmërinë e tij për të përballuar situatën me forcë. “Nuk do të lejojmë që diçka e tillë të ndodhë në vendin tonë. Nëse vlerësojmë se ekziston rrezik për sigurinë kombëtare dhe për qytetarët tanë, do të veprojmë me vendosmëri”, deklaroi ai.
Trazirat nisën të premten, pas një sërë ndalimesh të kryera nga agjentët e emigracionit në zona të ndryshme të qytetit. Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë janë përshkallëzuar ditë pas dite, duke çuar në përdorimin e forcës nga ana e policisë. Në përpjekje për të shpërndarë turmat, janë përdorur shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe plumba manovër.

Në rrugët kryesore të qytetit, protestuesit kanë dalë me pankarta dhe thirrje kundër politikave të fundit të administratës, duke kërkuar reagime nga autoritetet. Përballë tyre qëndrojnë ushtarë të Gardës Kombëtare dhe oficerë policie, të gatshëm për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimit të situatës./ Zoom.al