zoom

Bota

Tragjike/ Nënë e bir gjenden të qëlluar me plumb në kokë në banesë, dy skenarët

Efektivët e policisë në Greqi po hetojnë për të hedhur dritë mbi një krim makabër në Ilioupoli, ku nënë e bir janë gjetur të vdekur brenda banesës së tyre.

Mediat greke raportojnë se 60-vjeçarja u gjet e pajetë në një karrige në dhomën e ndenjes, ndërsa 36-vjeçari u zbulua në shtratin e nënës së tij, të dy të qëlluar me plumb në kokë.

Por, i riu nuk është qëlluar aty dhe mbetet mister se si ai ka përfunduar në dhomën e të ëmës.

Gjithashtu, mësohet se nënë e bir nuk kanë vdekur në të njëjtën kohë, ndërsa në banesë u gjetur edhe një armë që ndodhej larg trupave të viktimave.

Autoritetet po shqyrtojnë dy skenarë. E para është se një person i tretë ka hyrë në shtëpi, ka kryer krimin dhe është larguar pa u vënë re.

E dyta, është se djali vrau nënën e tij dhe më pas vrau veten.

Ai dyshohet se ka qëlluar veten dhe ka arritur të bëjë disa hapa derisa ka arritur në shtratin e nënës së tij, ku edhe ka ndërruar jetë.

Tragjedia doli në dritë kur fqinjët u ankuan për aromën e rëndë. Në banesë u thirr një bravandreqës i cili hapi derën dhe policia u përball me pamjen e trishtë. Sipas të njëjtave informacione, nënë e bir nuk ishin shfaqur në lagje që nga e enjtja e kaluar.