zoom

Aktualitet

Tjetërsimi i tokës në Bërxullë me letra false, ekzekutohen arrestimet e 3 zyrtarëve dhe përfituesit

Pak orë pas masave të Gjykatës së Tiranës, finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit dhe Komisariatin e Policisë Nr. 7, operacioni policor i koduar “Haunting”.

Ekzekutohen masat e sigurisë “arrest në burg”, për 4 shtetas, mes tyre tre zyrtarët që tjetërsuan tokën në Bërxullë, aktualisht sekuestruar kompanisë së nipit të ish-deputetit socialist Sadri Abazi dhe qytetarit që e përfitoi si pronar fillimisht.

Policia konfirmon se u sekuestrua sipërfaqa e tokës 7500 m2, në fshatin Bërxullë, bashkia Vorë, që ishte blerë nga nipi i ish-deputetit nga qytetari i ndaluar.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit dhe Komisariatin e Policisë Nr. 7, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Haunting”, për ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasit:

Y. M., 55 vjeç, K. B., 65 vjeç, A. L., 53 vjeç, të tre banues në Vorë, dhe K. A., 60 vjeç, banues në Kombinat.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, në fshatin Bërxullë. Gjithashtu, në kuadër të operacionit, është sekuestruar një sipërfaqe toke 7500 m2, në fshatin Bërxullë, bashkia Vorë”, tha policia e kryeqytetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/