zoom

Bota

Tjetër tërmet i fortë godet Turqinë, sa ishte magnituda

Tjetër tërmet i fortë godet Turqinë, sa ishte magnituda

Një tjetër tërmet i fortë me magnitudë 4.8 të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e sotëm rajonin perëndimor të Turqisë.

Sipas të dhënave të autoriteteve, lëkundjet janë regjistruar në orën 07:54 të mëngjesit, në një thellësi prej vetëm 7 kilometrash. Thellësia e vogël e ka bërë tërmetin të ndjeshëm dhe të fortë në sipërfaqe.

Lëkundjet u ndjenë më fuqishëm në zonat Sındırgı dhe Balıkesir, ku jetojnë mbi 230 mijë banorë, si dhe në qytetet përreth të rajonit Egje. Banorët kanë dalë me nxitim nga banesat dhe ambientet e punës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e mbrojtjes civile.

Tërmeti zgjati vetëm disa sekonda, por u ndje në një zonë të gjerë, duke shkaktuar momente paniku në disa lagje urbane.

Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme serioze materiale, megjithëse ekipet e emergjencës po kryejnë verifikime në terren.

Ky është tërmeti i dytë që godet të njëjtin rajon brenda pak orësh. Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:00, zona u trondit nga një lëkundje shumë më e fortë, me magnitudë 6.0, e cila u ndje deri në Izmir dhe Bursa./ Zoom.al

Postime të lidhura