Aplikacion
Në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit ka funksionuar një model i ngjashëm, ku ish drejtorja e Përgjithshme Erinda Fino, drejtori i Pyjeve dhe Kullotave Redion Çatri dhe shefja e sektorit Vilma Diçi kanë dhënë tendera te një kompani e cila zotërohej nga bashkëshorti i Vilmës, Fabjan Diçi.
Çatri rezulton të ketë themeluar gjatë kohës që ishte drejtor në Bashkinë Tiranë kompaninë ‘Paysera Albania’ në bashkëpronësi me një ortak tjetër.
Shoqëria ka aktivitet në fushën e pagesave elektronike dhe këmbimit valutor. Ndër vite Çatri ka hapur dhe disa firma të tjera, ku njëra ushtron aktivitet në fushën e bar-kafeve dhe tjetra në shitjet e pasurive të patundshme.
I punësuar në kompaninë Paysera rezulton Fabjan Diçi, i cili ka mbajtur postin e drejtorit të financës në këtë shoqëri.
Diçi vendos më pas që të bëhet vetë biznesmen, vetëm se suksesi i biznesit të tij tashmë do t’i dedikohej kontratave me bashkinë Tiranë e pikërisht me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit.
“Me çfarë logjike mund të funksionojë që një zyrtar i shtetit shqiptar që disponon kompani me vlerë në miliona euro, shkon dhe punon për një rrogë 800 euro në muaj, duke humbur 8 orë të ditës produktive ku mund të ketë një prodhimtari shumë më të madhe në biznesin privat!? Kjo bëhet për të garantuar milionat e euros dhe për t’i shtuar dhe këtë model në Shqipëri, në Bashkinë Tiranë e ka futur Erjon Veliaj”, thotë drejtuesi politik për qarkun Tiranë në Partinë Demokratike Belind Këlliçi.
Lidhjet në këtë skemë bëhen përmes dy njerëzve të tij që janë të besuarit e Drejtores së Përgjithshme Erinda Fino: Redion Çatri, që është dhe pronari i Fabjan Diçit te kompania “Paysera Albania” dhe Vilma Diçit, bashkëshortes së Fabianit, e cila ka qenë e punësuar si shefe sektori në këtë agjenci.
Rezulton se në shtator të vitit 2021 është themeluar nga Sabri Osma kompania ‘Green Graphics Studio’ dhe është shitur në muajin dhjetor te Fabjan Diçi.
Diçi ka ndryshuar objektin e aktivitetit duke shtuar përveç studimeve dhe projektimeve në fushën e pyjeve, edhe shfrytëzimin, grumbullimin dhe tregtimin e prodhimeve pyjore jodrusore.
Menjëherë pas hapjes kompania ka gjeneruar që vitin e parë të ushtrimit të aktivitetit 165 mijë euro të ardhura, të cilat janë gjashtëfishuar vitin e dytë të saj, 2023, në rreth 1 milion euro xhiro, falë dhe kontratave të marra nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.
Në vitin 2023, firmës i ndryshohet emri në “Trade and Construction Group” dhe fiton 6 tendera pranë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit me vlerë totale 552 mijë euro me Tvsh.
Kontratat kanë objekte të ndryshme dhe kompania rezulton të mos ketë përvojë për ofrimin e këtyre shërbimeve, ndërsa në disa tendera mungon konkurrenca dhe i vetmi operator pjesëmarrës është “Trade and Construction Group”.
“Jo vetëm drejtorët e skemës 5D Konstruksion, por dhe drejtorë të tjerë, kanë gjetur një mekanizëm më të thjeshtë, nuk kanë pritur të marrin përqindje siç ka qënë rëndom korrupsioni në tendera, por kanë shkuar vetë te thelbi dhe e kanë marrë ata dhe kanë menaxhuar ata paranë publike për të kryer këto vepra publike”, thotë avokati Redi Ramaj.
Shoqëria ka fituar garën për furnizimin e agjencisë me automjete, traktorë dhe fuoristrada ‘Pick up’, por kontrata më e madhe është për pyllëzimin me akacje, procedurë e zhvilluar shtatorin e vitit të shkuar kur SPAK ishte në dyert e bashkisë dhe kreu i saj bëri ndryshime në nivele drejtuesish.
Firma në hije e dy drejtorëve Fino dhe Çatri arriti të fitojë mes 4 konkurrentëve dhe pse ishte oferta më e lartë, sa 98% e fondit limit. Oferta e dhënë nga “Trade and Construction” ishte 278 mijë euro pa Tvsh, ndërsa më e ulëta ishte 200 mijë euro.
Kompania pas të cilës fshihen drejtorët e bashkisë, ka fituar dhe një tjetër kontratë për furnizimin me kafshë të Kopshtit Zoologjik, procedurë që gjithashtu është zhvilluar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.
Për katër kafshë të llojit lama Alpaka janë paguar 44 mijë euro, kur vlera e një kafshe të tillë në varësi të llojit dhe moshës varion nga 3 deri në 6 mijë euro, çka do të thotë se maksimumi i shpenzimit për 4 të tilla nuk do të ishte më shumë se 24 mijë euro.
“Ky është një model i Bashkisë Tiranë, është i vendosur në nivel sistemik dhe është e shtrirë kudo në aparatet e kësaj bashkie”, thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Jo vetëm furnizimin e Kopshtit Zoologjik me kafshë, por dhe me ushqime e ka bërë një tjetër kompani e lidhur me dy drejtorët.
Sabri Osma, pronari që i shiti kompaninë Fabjan Diçit ka fituar 6 kontrata me vlerë 220 mijë euro, të gjitha procedura që janë zhvilluar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit si autoritet kontraktor.
Osma ka shitur kafshë të buta për kopshtin zoologjik, fara e pesticide si dhe ka dhënë me qira sera dhe fidanishte.
“Këtu jo vetëm ka qenë në konflikt interesi, por realizimi i saj i skemës sidomos kur sheh që ka fituar oferta më e lartë, kupton se nuk ka qenë për të ofruar shërbimin, por një mundësi për të marrë disa para nga buxheti i bashkisë te xhepi i punonjësit që ka vajtur me lugë në brez!”, thotë Pano Soko.
Në janar të këtij, kur Erinda Fino emërohet drejtore e përgjithshme në ndërmarrjen “Tirana Parking”, merr me vete sërish si në postin e drejtorit Redian Çatrin dhe të shefes së sektorit Vilma Diçin.
Dhe këtu, kompania “Trade and Construction Group” rezulton fituese e një kontrate të madhe me vlerë 120 mijë euro për blerje makinash elektrike me një ofertë sa 95% e fondit limit.
Tenderi u anulua më pas në mënyrë të çuditshme, me arsyetimin se fituesi nuk u paraqit për të lidhur kontratën.
Ishte muaji prill dhe denoncime të shumta nisën nga Partia Demokratike dhe qytetarë të ndryshëm që hasnin në raste aferash korruptive dhe konflikti interesi.
SPAK sapo kishte arrestuar drejtorët e skemës “5D Konstruksion”.
“Nuk vjedhin vetëm 20% që është korrupsioni tradicional, por kanë vendosur të vjedhin 100%. Dhe nuk janë vetëm drejtorët e 5D Konstruksion, por shumë të tjerë të përfshirë dhe që i kam denoncuar me emra”, thotë Këlliçi.
Por pronari fiktiv Fabjan Diçi, pas të cilit fshihen dy drejtorët, nuk ka përfituar vetëm tendera dhe pagesa nga shteti por dhe të drejta shfrytëzimi. Fushat e tenisit pranë Parkut të Liqenit Artificial u inauguruan në pranverën e vitit 2021.
Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj u krenua se me inaugurimin e fushave dhe hapësirës sportive po hiqet çibani i fundit, duke nënkuptuar gjendjen e degraduar se ku ndodhej kjo zonë me konflikte të shumta pronësie dhe tha se fushat bashkë me hapësirën e shërbimit po i rikthehen qytetarëve.
“Ishte një nga ato porositë që më tha ditën e parë, kur do të çlirohet liqeni dhe ky na kishte ngelur tamam si ai çibani i fundit”, tha kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj gjatë ceremonisë së inaugurimit të fushave të tenisit në prani të kryeministrit Edi Rama.
Në fakt hapësira e shërbimit i është dhënë me kontratë qiraje kompanisë në pronësi të Fabjan Diçit.
Bar kafeja në zemër të liqenit duket se është një biznes fitimprurës i cili vetëm gjatë vitit të shkuar ka xhiruar 300 mijë euro, ndërsa sipas të dhënave që raportohen në bilanc, pagesa për aktivitetin e shfrytëzimit (qiranë) në hapësirën afro 600 m2 ishte 13.900 euro për të gjithë vitin. Lokali i quajtur ‘My favorite’ reklamon dhe logon e kompanisë ku pronar është drejtori i bashkisë Redian Çatri: “Paysera Albania”.
Hapësira e fushave të tenisit bashkë me zonën e shërbimit u kushtuan taksapaguesve të Tiranës 440 mijë euro me Tvsh, por sot janë lënë me qira, për tu shfrytëzuar nga kompania e drejtorëve të bashkisë.
“Ju që jeni të vegjël po bëtë çfarë thanë të tjerët dhe po u dorëzuat sa herë që ju kundërshtojnë do të mbeteni të vegjël, po ju thanë që kjo nuk bëhet dhe ju dorëzoheni nuk do ju mbajë mend njeri. Por po guxuat të bëni gjëra të mëdha, gjëra të bukura, dhe arsyeja se përse unë jam shumë krenar për Erindën dhe të gjithë stafin tonë që punon këtu është sepse kanë guxuar!”, do të thoshte Veliaj në një takim që zhvilloi më fëmijë të Tiranës pranë fushave të tenisit.
Vetë tenderi për rikonstruksionin e këtyre ambienteve rezulton i dyshimtë, pasi mes 9 ofertave u përzgjodh kompania që ofroi çmimin më të lartë dhe u skualifikuan të gjithë operatorët e tjerë.
Një tjetër treg i dhënë nga grupi i drejtorëve në shfrytëzim kompanisë së drejtorëve është treni brenda ambienteve të Kopshtit Zoologjik, ndërsa treni në mjediset e Liqenit Artificial është dhënë për t’u shfrytëzuar pa hapur një garë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik.
Të drejtat për të marrë në shfrytëzim të mira publike, bëhen duke zbatuar parimet e garës, e ku kriteret për trenin në këtë rast do të ishin ato që do të caktonin fituesin, si standardet mjedisore, që treni të mos punojë me lëndë djegëse siç ishte ai që ofroi shërbimin për 3 vjet, si do të ndahej fitimi, pra sa do të merrte shteti nga të ardhurat ose sa do të ishte çmimi i biletës që të rëndonte më pak xhepat e qytetarëve.
Për vitin 2022 dhe 2023 të ardhurat që ka nxjerrë kompania nga treni në Liqenin Artificial janë përkatësisht 87 dhe 88 mijë euro.
Mësohet se Prokuroria e Posaçme është duke hetuar për këtë skemë dhe ka sekuestruar dokumentacion pranë ndërmarrjes “Tirana Parking” dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ndërsa është sekuestruar telefoni i ish-drejtueses Erinda Fino.
Fino u shkarkua më 25 tetor gjatë një mbledhje gjatë të cilës Erion Veliaj largoi 12 drejtues të aparatit të Bashkisë Tiranë.
Ajo ka qenë në krye të drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Strategjik të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit që prej vitit 2015 dhe në 2019-n ka marrë postin e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci, ndërsa në janar 2024 është vendosur në krye të “Tirana Parking”.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit është një nga strukturat më të mëdha të Bashkisë Tiranë si për fondet që menaxhon dhe për burimet njerëzore.
Buxheti vjetor i sa është afërsisht 7 milionë euro në vit dhe ka në organikë një strukturë me 420 punonjës të cilët menaxhojnë parqet, hapësirat kreative dhe pyjet në territorin e kryeqytetit.
Në verë, kryetari i bashkisë tregoi se ka kontraktuar dy kompani ndërkombëtare për të bërë standardizimin e cilësisë dhe certifikimin e bashkisë dhe një tjetër për hartimin e politikave të mirëqeverisjes dhe transparencës. Por pyetja që shtrojnë të gjithë është se a kanë qenë këto skema të bekuara nga drejtuesi apo drejtuesi ka qenë i paaftë për t’i zbuluar?
“Drejtësia në këtë pikë nuk është vetëm të ndëshkojë disa persona që kanë kryer këtë skemë korruptive, por të bëjnë që kjo skemë të mos përsëritet në të ardhmen dhe të japin një mesazh të qartë se në atë institucion po vendoset drejtësi”, thotë avokati Redi Ramaj.
“Mua më intereson që të konfiskohet pasuria e drejtorëve që kanë marrë para të paligjshme dhe SPAKU duhet të shkojë aty ku është përgjegjësia konkrete. Populli e ka caktuar me votë përgjegjësin e parave të tij dhe ai është kryetari i bashkisë”, thotë eksperti Pano Soko.
“Kanë vijuar drejtorë të tjerë dhe pas skandalit 5D sepse kanë qenë të bindur për fuqinë e Veliajt te SPAKU dhe kanë vazhduar nga këto skema për të vjedhur paratë. Në këtë rast zbresim nga 5D në 3D, ky është ndryshimi i vetëm. Kam një pikëpyetje për institucionet e drejtësisë sepse nuk ka njeri që nuk e kupton që janë marrë miliona euro tendera dhe janë investuar në pallate dhe hotele nga drejtuesit kryesorë të bashkisë dhe fushatës së Veliaj, dhe shefi i tyre nuk e di që këta po kryejnë këto vepra penale, por di çdo gjë për like e share në Facebook e çdo njeri tjetër”, thotë Belind Këlliçi./ Emisioni “Kronos”, MCN TV
“Mos fol se prish punë”/ Zbulohen bisedat e Jurgis Çyrbes me Mond Çekiçin para se të vritej