Aplikacion
Duke i dhënë hapësirë mendimi kujtdo, TikTok-u sot është kthyer në një “minë me sahat” për Shqipërinë, minë e cila shpërtheu në qendër të Tiranës, të hënën në mesditë, në shkollën “Fan Noli”. 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij.
“E priste nëna për drekë në shtëpi. Ku i vajti ai fëmijë? Ku i shkoi?”- rrëqethi sot përpara kamerave gjyshja e shokut të ngushtë të të ndjerit.
Fëmijë, të rritur, individë të çdo grupmoshe e gjinie shprehen pa censurë në TikTok, duke promovuar gjuhën e urrejtjes dhe aktet e dhunës, deri në fatalitet.
Një video tronditëse që qarkullon në fundmi në TikTok tregon se vrasja e radhës është pas dere nëse nuk merren masa sot!
Pasi 14-vjeçarit Martin Cani iu mor jeta, bashkëmoshatarët e tij nuk shprehen të tronditur, por madje krenohen me veprimet e autorit dhe sfidojnë njëri-tjetrin për të bërë të njëjtën gjë: për të marrë jetë njerëzish. Të mitur të etur për gjak!
KUJDES‼️ VIDEOJA KA PËRMBAJTJE TË RËNDË
Nëse dikush sot po planifikon të kryejë një krim, planin e detajuar mund ta shpjegojë lirshëm në TikTok, njësoj siç dy të rinjtë bëjnë në videon e mësipërme.
“Edhe unë o has, po nuk e thera njërin sa të vij në Shqipëri, do jem më v*rik*rsi. A do të shkojmë ta therim bashkë? Kushoja jot e bëri një therje. Do ta therim edhe ne një? Do i shkojmë bashkë o zemra, i shkojmë brenda në shkollë, i shkojmë në klasë. Unë do ta mbaj, ti do t’ia futësh me thikë.”
Ky është një paralajmërim i frikshëm, teksa asnjë organ ligjzbatues nuk merr masa, kjo për faktin se Shqipëria nuk ka një akt rregullator për përdorimin e rrjeteve sociale.
Nëse nuk merren masa sot, nesër shoqëria do të regjistrojë viktimën e radhës! Nëse nuk është as kjo videoja e mjaftueshme që autoritetet të ndërhyjnë, nesër autoritetet janë palë me autorët.
Jo më larg se ky vit, në shkurt, kryeministri Edi Rama shkoi në zyrat e TikTok-ut në Gjermani, ku u takua me zv.Drejtorin e Përgjithshëm të Kompanisë Theo Bertram.
Mes rreshtash, Rama premtonte marrjen e masave ndaj gjuhës së urrejtjes.
“Në zyrat e TikTok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social TikTok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre,”- shkroi Rama në Facebook. Por nga shkurti dhe deri tani, asnjë masë nuk është marrë!
Për shkak të shantazhit që kryhet në këtë aplikacion, shumë njerëz janë shtyrë edhe drejt vetëvrasjes, siç ishte rasti i Sibela Abedinit.
Raste të ngjashme, përfshirë edhe atë të 41-vjeçares Bedrie Loka, e cila u vetëhelmua me fotoksinë, pasi i kishin hapur një profil denigues në TikTok solli janarin e këtij viti reagim të figurave publike shqiptare.
Arbana Osmani i bëri thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit për bllokim të menjëhershëm të platformës.
“Tmerr, vrasësit e kohëve moderne kanë “armë”, tastierat, por janë gjithmonë vrasës. Mbylleni këtë dreq TikToku. Tani!”- shkroi moderatorja, ndërsa etiketoi Edi Ramën.
Të tjerë të mitur manipulohen nga lojërat e rrezikshme që ekspozohen në rrjet dhe përfundojnë duke u vrarë. Ndërsa të tjerë, paralajmërojnë të pashqetësuar se do të vrasin dikë. A nuk duhet të jetë ky momenti që kryeministri Edi Rama të firmosë me kompaninë në fjalë për mbylljen e TikTok-ut në Shqipëri?
Shumë shtete në SHBA kanë ngritur padi kundër TikTok-ut dhe kompanive të tjera, teksa po rritet vetëdija kundër platformave kryesore të rrjeteve sociale dhe ndikimit gjithnjë e më të madh që ato kanë në jetën e të rinjëve. Sipas një ligji federal, që hyri në fuqi në fillim të këtij viti, TikTok-u mund të ndalohet në Shtetet e Bashkuara në mesin e janarit nëse kompania pronare e tij ByteDance, me seli në Kinë, nuk e shet platformën deri në atë afat kohor.
Po qeveria shqiptare, kur do të fillojë të lëvizë në këtë drejtim për të mbrojtur jetë? Vrasja e fëmijëve është alarm për çdo shoqëri, por vrasja e tyre nga vetë fëmijët është rreziku më i madh për fatin e një shoqërie të dhunshme si ne. Izolimi dhe bllokimi i platformës “TikTok” në Shqipëri tanimë është nevojë urgjente./ Zoom.al