zoom

Aktualitet

Tensione në protestën te Bashkia, Policia s’lejon këshilltarët e opozitës: Kush është komandanti?

Protestuesit kanë sulmuar sot me vezë dhe mollë Bashkinë e Tiranës, teksa tensionet para institucionit dhe konfrontimet me Policinë e bërë gardh janë rritur ndjeshëm.

Në shenjë ironie, ata kanë hedhur mollë, për shkak të emrit të një prej zyrtarëve të arrestuar të bashkisë, Redi Molla, si pjesë e një skeme korruptive në dosjen e skandalit të tenderëve “5D”.

Ndërkohë, këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak janë përplasur me policinë, pasi nuk i kanë lejuar ata që të futen në ambientet e këtij institucioni. Sakaq, qytetarët kanë tentuar të futen në institucion.

Ka qenë Ilir Alimehmeti që të flasë me drejtorin e policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ku i ka kërkuar që të futen brenda.

“Kush është komandanti këtu? Dua të flas me të. Zoti drejtor, a mund të hyjnë anëtarët e Këshillit?. Kërkojmë të bëjmë detyrën tonë! Detyrë që na e ka ngarkuar populli. Çojmë kërkesë zyrtare për mbledhje urgjente! Është firmosur nga dhjetëra anëtarë të Këshillit”, tha zoti Alimehmeti.

Ndërkohë, Tedi Blushi nga Partia e Lirisë ka thënë se; “S’kemi punë me këshilltarët, arrestoni Veliajn”. /ZOOM.AL/