zoom

Aktualitet

Tenderi 400 milionë euro i portit të ri të Durrësit nën hetim nga SPAK

Tenderi 400 milionë euro i portit të ri të Durrësit nën hetim nga SPAK

Një dosje voluminoze është referuar pranë Prokurorisë së Posaçme si një aferë e rëndë korruptive që lidhet me tenderin për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano.

Ky projekt, i cili kap vlerën e rreth 400 milionë eurove, dyshohet se është manipuluar për të nxjerrë fituese kompaninë Archirodon. Sipas kallëzimit penal, kjo kompani me seli në Holandë, por që de facto është një subjekt qipriot dhe grek, u favorizua në mënyrë të paligjshme përmes një procesi të errët konkurrimi.

Në këtë garë morën pjesë disa nga firmat më të njohura inxhinierike në rang botëror, por ato u eliminuan radhazi pa pasur mundësinë për të paraqitur as ofertat e tyre. Kallëzimi thekson se mënyra e përdorur për të arritur këtë rezultat ishte skualifikimi i qëllimshëm për pasaktësi të vogla dokumentare ose përmes interpretimeve ekstreme të rregullave teknike. Ndërkohë që konkurrentët e padëshiruar u eliminuan me rigorozitet, ndaj kompanisë së paracaktuar u tregua një tolerancë e pashpjegueshme nga anëtarët e komisionit.

Në këtë aferë akuzohen drejtpërdrejt drejtorë dhe politikanë të cilët dyshohet se fshehën faktin që kompania operonte përmes një filiali qipriot. Ky veprim ngre dyshime të forta për qëllime që lidhen me pastrimin e parave, ku përfshihet edhe një kompani tjetër shqiptare. Kjo e fundit rezulton të jetë nën hetim për tendera të tjerë të marra në Ministrinë e Infrastrukturës, vlera e të cilëve shkon në rreth 120 milionë euro. Tashmë dosja e plotë ndodhet në duart e hetuesve të SPAK për të zbardhur shkeljet dhe përgjegjësitë e zyrtarëve që hartuan dhe miratuan këtë procedurë tenderimi.

Postime të lidhura