zoom

Ekonomi

Tenderat publikë, shkaku kryesor i korrupsionit dhe rryshfetit në Shqipëri 

Tenderat publikë, shkaku kryesor i korrupsionit dhe rryshfetit në Shqipëri 

Shqipëria shfaq një përkeqësim të fortë të perceptimit për korrupsionin në marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit gjatë vitit 2025, veçanërisht për tenderat publikë, duke u renditur ndër vendet më problematike në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat e “Balkan Barometer 2024–2025”tregojnë rritje të ndjeshme të pagesave joformale pothuajse në çdo sektor kyç të administratës publike, me tenderat publikë që dalin si shkaku kryesor i rryshfetit.

Perceptimi i bizneseve se duhen pagesa joformale për të fituar tenderë publikë ka pësuar rritjen më të fortë nga të gjitha kategoritë, nga 16% në 2024 në 47% në 2025

Kjo do të thotë se gati një në dy biznese beson se korrupsioni është faktor vendimtar për marrjen e kontratave publike. Ky nivel e pozicionon Shqipërinë në krye të rajonit, në një kohë kur fondet publike dhe investimet infrastrukturore janë në rritje.

Inspektimet shtetërore, problem edhe më i madh

Edhe më shqetësuese është situata te inspektimet shtetërore (shëndet, siguri në punë, mjedis, punë), me një ndryshim nga    13% në 2024 në 57% në vitin 2025.

Mbi gjysmën e bizneseve e perceptojnë sot rryshfetin si pjesë të procesit për t’u përballur me inspektimet, një tregues i qartë i presionit administrativ dhe abuzimit me pushtetin kontrollues.

Rritje të ndjeshme shënojnë edhe sektorë të tjerë. Administrata tatimore dhe doganat kanë pësuar një rritje të perceptimit nga 23% në 52%, gjykatat nga 1% në 32%, ndikimi mbi ligje dhe akte nënligjore nga 7% në 25% dhe shërbimet utilitare nga 17% në 22%.

Të dhënat sugjerojnë një shtrirje të gjerë të perceptimit për korrupsion, jo më të përqendruar në një sektor të vetëm.

Një element domethënës është rënia e fortë e bizneseve që refuzojnë të përgjigjen për këto çështje nga 51% në 2024 në 2% në 2025. 

Kjo mund të nënkuptojë ose një rritje të sinqeritetit dhe ndërgjegjësimit, ose faktin që korrupsioni është bërë aq i zakonshëm sa nuk perceptohet më si temë tabu.

Krahasimi me rajonin

Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina ka nivel shumë të lartë tek inspektimet (65%), por pa shpërthim të përgjithshëm si Shqipëria. Kosova ka po ashtu 47% për tenderat publikë, por rritje më të moderuara nga 2024 në 2025. Maqedonia e Veriut shfaq probleme te inspektimet (53%) dhe tatimet (39%), por jo në të gjitha kategoritë njëkohësisht. Mali i Zi rritet te inspektimet (46%), por mbetet dukshëm më poshtë Shqipërisë në shumicën e treguesve. Serbia, ndryshe nga Shqipëria, shfaq një përmirësim relativ në 2025 krahasuar me vitin pararendës.

Shqipëria, rasti më problematik në 2025

Ndërsa mesatarja rajonale e Ballkanit Perëndimor shënon rritje të perceptimit për pagesa joformale në 2025, Shqipëria dallohet negativisht për intensitetin dhe shtrirjen e fenomenit, duke u renditur në krye ose pranë kryesimit pothuajse në çdo kategori.

Të dhënat e Barometrit sugjerojnë se në vitin 2025 mjedisi i biznesit në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm në raport me administratën publike, duke shënuar një kthesë të fortë krahasuar me vitin 2024. Për bizneset, korrupsioni nuk perceptohet më si përjashtim, por si rrezik sistemik që prek tenderat, inspektimet, tatimet dhe drejtësinë. /Zoom.al