zoom

Aktualitet

Teatri/ Berisha: Ai ndërtim nuk do të pranohet kurrë, do të bëhet ai që ka qenë

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi sot se Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë. Ai tha se do bëhet gjithçka që ajo godinë të mos ndërtohet, duke shtuar se edhe nëse do ngrihet si godinë, ajo do rrafshohet.

“Java kishte një ngjarje tjetër shumë të rëndë dhe të shëmtuar. Edi Rama dhe Erion Veliaj, në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses dhe çdo parim, varrosën dosjen e teatrit. Aktin më të shëmtuar dhe më antikombëtar që ka njohur vendi vitet e fundit.

Nuk është këtu sfida ndaj një grupi ndaj Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që janë në vlerësimin tim, qytetarë më kurajozë, artistë më besnikë ndaj krijimit të tyre, profesionit të tyre, por edhe ndaj rendit kushtetues të vendit.

Akti i Ramës dhe Veliajt ishte një varrosje e kushtetutshmërisë së vendit. Në këtë kontekst, ishte një grusht për çdo qytetar shqiptar.

Unë u them atyre: se ai ndërtim nuk do pranohet kurrë dhe se përballja me regjimin do ketë një objektiv tjetër madhor, rivendosjen e Kushtetutës dhe rindërtimin e teatrit siç ka qenë në vendin ku ishte.

Të gjitha këto dëshmojnë se regjimi ka humbur çdo parim, moral dhe ligj. Revolucioni demokratik është i pashmangshëm. Është jetik për shpëtimin e Shqipërisë. Do bëhet gjithçka që ai projekt të mos ndërtohet. Por do rrafshohet. Aty do ndërtohet teatri siç ka qenë. Kjo nuk ka diskutim. Ai do rrafshohet, do i lëshojë rrugën teatrit siç ka qenë. Do bëhet gjithçka për ta penguar,” tha Berisha.