zoom

Aktualitet

Tatimet reagojnë ashpër ndaj deputetit Braçe, për “pasaktësitë dhe fyerjet” ndaj administratës

Administrata Tamimore reagoi sot zyrtarisht për deklaratat e deputetit socialist Erion Braçe, në lidhje me performancën e institucionit, për kontrollin ndaj bizneseve të mëdha dhe të vogla.

Gjithashtu vë në dukje fyerjet e pavenda të ligjvënësit ndaj punonjësve apo mungesën e kontrolleve. Tatimet sqarojnë deputetin se ato janë në terren vazhdimisht dhe kontrollet nuk nisën pas denoncimit të Braçes.

“Prezenca e Tatimeve në tregun qendror ka nisur në fillim të muajit dhjetor, në zbatim të planit operacional, ku në fokus janë tregjet e mëdha dhe qarkullimi i shtuar i mallrave në transport nga ana e bizneseve, që tregtojnë me shumicë, në kuadër të festave të Fundvitit.

Kështu që deklarata e deputetit në media për daljen e strukturave të Administratës Tatimore pas denoncimeve të tij është e pasaktë!”, thuhet në deklaratë ndër të tjera.

Më tej sqarohet se bizneset e vogla janë me 0 tatim-fitimi apo TVSH dhe se deklaratat e Braçes ofendojnë administratën. Më poshtë reagimi i plotë.

Deklarata e Tatimeve:

“Sqarim për Deputetin Braçe dhe Opinionin Publik!

Reagimi i Administratës Tatimore për fyerjet dhe pasaktësitë e deklaratave të Deputetit

Administrata Tatimore kërkon të sqarojë deputetin Braçe dhe opinionin publik se monitorimi dhe verifikimi i tregjeve, ku operojnë Bizneset e Mëdha është procedurë standarde, që ndiqet çdo vit nga strukturat e saj.

Prezenca e Tatimeve në tregun qendror ka nisur në fillim të muajit dhjetor, në zbatim të planit operacional, ku në fokus janë tregjet e mëdha dhe qarkullimi i shtuar i mallrave në transport nga ana e bizneseve, që tregtojnë me shumicë, në kuadër të festave të Fundvitit.

Kështu që deklarata e deputetit në media për daljen e strukturave të Administratës Tatimore pas denoncimeve të tij është e pasaktë!

Sqarojmë Z. Braçe se Administrata Tatimore ka në fokus kryesisht Bizneset e mëdha, që janë subjekt i Tatim Fitimit dhe TVSH-së.

Ndihemi të keqardhur për deklaratat publike të bëra nga Z. Braçe dhe gjuhën e përdorur prej tij, duke qenë se ai vetë ka qenë personalisht i angazhuar në luftën kundër Evazionit, dhe pavarësisht kësaj lufte disa vjeçare fenomeni ka vazhduar.

Na vjen keq të dëgjojmë nga një Deputet fyerje dhe mungesë respekti ndaj Administratës Tatimore, duke përdhosur punën e saj, aq më keq me informacione të pavërteta, gjykime të një Deputeti që jo vetëm nuk e përmirësojnë punën e një Administrate, por përkundrazi e ofendojnë publikisht atë me apo pa të drejtë.

Kujtojmë Z. Braçe, dhe sqarojmë publikun, që Bizneset e vogla janë me 0 Tatim Fitimi dhe 0 TVSH. Kështu që lëshimi apo jo i Faturës Tatimore, edhe pse është shkelje ligjore, nuk do të ndryshojë në asnjë mënyrë çmimet, sikurse pretendohet, pasi çmimet përcaktohen nga Ofertë-Kërkesa si në çdo ekonomi të liberalizuar.

Sqarojmë opinionin publik se Administrata Tatimore është maksimalisht e angazhuar në nxitjen e përmbushjes vullnetare të detyrimeve nga ana biznesit dhe qytetarëve, përmes fushatave sensibilizuese, që në thelb kanë ndërgjegjësimin dhe jo gjobitjen e biznesit, duke krijuar për herë të parë klimën më të mirë dhe bashkëpunuese me biznesin”. /ZOOM.AL/