Aplikacion
Ndërsa sulmet ruse ndaj Ukrainës po përshkallëzohen, brenda Shteteve të Bashkuara po rritet presioni ndaj presidentit Donald Trump që të miratojë sanksione të reja kundër Moskës.
Zyrtarë të lartë të administratës dhe senatorë të njohur republikanë i kanë kërkuar Trump që të mbështesë, ose të paktën të mos pengojë, vendosjen e masave ekonomike të ashpra ndaj Kremlinit.
Sipas mediave, ndonëse për muaj me radhë Trump ka shprehur skepticizëm për efektivitetin e sanksioneve, ai tani po shqyrton seriozisht mundësinë e miratimit të tyre. Sipas një këshilltari të lartë, “ai gjithmonë kërkon mënyra të ndryshme për të ushtruar presion. Dhe kjo nuk bën përjashtim”.
Në fokus është një paketë e re sanksionesh, e përgatitur tashmë nga administrata, që synon sektorët strategjikë të Rusisë: energjinë dhe bankat. Masat mund të hyjnë në fuqi në çdo moment, me urdhër të presidentit.
Ndër propozimet që po shqyrtohen, spikat ai i senatorëve Lindsey Graham (republikan) dhe Richard Blumenthal (demokrat), që kërkon vendosjen e tarifave deri në 500% për produktet e importuara nga vendet që vazhdojnë të blejnë naftë ruse. Kjo iniciativë synon të ushtrojë presion të zgjatur ndaj aleatëve ekonomikë të Rusisë.
Zyrtarë të administratës besojnë se mbështetja indirekte e këtij projektligji do t’i mundësonte Trumpit të ruante kanalet e komunikimit me Vladimir Putinin, ndërsa përgjegjësinë formale për sanksionet do t’ia linte Kongresit.
Në të njëjtën kohë, në tavolinën e diskutimit janë edhe sanksionet e quajtura “dytësore”, masa ndëshkuese jo vetëm për Rusinë, por edhe për shtetet e treta që vazhdojnë të zhvillojnë tregti me të, sidomos në fushën e energjisë./ Zoom.al