zoom

Bota

Takimi Biden-Trump në Zyrën Ovale, në kontrast me tensionet në marrëdhëniet mes tyre

Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe presidenti Joe Biden u takuan të mërkurën për herë të parë që kur zoti Trump fitoi zgjedhjet javën e kaluar dhe premtuan një transferim të rregullt të pushtetit në janar.

Dy udhëheqësit u ulën në krah të njëri-tjetrit në Zyrën Ovale, një imazh që ishte në kontrast me tensionet që kanë pasur në marrëdhëniet mes tyre.

Zoti Biden fitoi ndaj zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020, por u tërhoq nga gara e vitit 2024 në korrik pas një paraqitjeje të dobët në debatin përballë rivalit republikanin.

Ai mbështeti si kandidate Nënpresidenten Kamala Harris e cila humbi në zgjedhje.

“Synimi ynë është të kemi një tranzicion të qetë, do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju siguruar çfarëdo që ju nevojitet,” tha Presidenti Biden duke i uruar mirëseardhjen zotit Presidentit të zgjedhur Trump.

“Politika është e vështirë dhe shpesh bota nuk është shumë e bukur, por sot është një botë e bukur dhe unë e vlerësoj shumë një tranzicion të qetë. Do të jetë shumë i rregullt dhe e vlerësoj shumë një gjë të tillë Joe”, tha zoti Trump, i cili merr detyrën më 20 janar.

Gazetarët u përpoqën të bëjnë pyetje por u nxorën me shpejtësi nga salla, përpara se zoti Biden dhe zoti Trump të vazhdonin takimin pa praninë e tyre.

Takimi ishte në një kontrast të thellë me marrëdhënien e tensionuar që kanë pasur ndër vite dy udhëheqësit.

Ekipet e tyre kanë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat, nga çështjet që lidhen me ndryshimin e klimës, tek ato që lidhen me Rusinë deri tek tregtia.

Zoti Biden, 81 vjeç, e ka portretizuar zotin Trump si kërcënim për demokracinë, ndërsa zoti Trump, 78 vjeç, e ka portretizuar zotin Biden si të paaftë.

Presidenti i zgjedhur Trump ka bërë pohime të pa bazuara në fakte për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Pritja e presidentit të ardhshëm të vendit në Zyrën Ovale nga presidenti aktual, është në traditën politike të Shteteve të Bashkuara, por zoti Trump e anashkaloi këtë traditë në vitin 2020, kur ai humbi garën për t’u rizgjedhur.

Ai beson tek normat dhe institucionet tona, ai beson tek transferimi paqësor i pushtetit“, u tha gazetarëve të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, në lidhje me vendimin e Presidentit Biden për të ftuar për takim zotin Trump.

Kështu duhet të ndodhë“, shtoi ajo.

Zoti Biden synonte ta përdorte takimin për të treguar vazhdimësi, por tranzicioni nga një administratë tek tjetra është pjesërisht i bllokuar.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, ekipi i zotit Trump, nuk ka nënshkruar ende marrëveshjen që do t’i mundësonte njerëzve të administratës së tij të ardhshme, qasje tek objektet dhe informacionet qeveritare.

Avokatët e ekipit të tranzicionit Trump-Vance po vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive me avokatët e administratës Biden-Harris në lidhje me të gjitha marrëveshjet e parashikuara nga Akti i Tranzicionit Presidencial”, tha Brian Vance, një zëdhënës për tranzicionin i zotit Trump, duke iu referuar ligjit që rregullon transferimin e pushtetit.

Valerie Smith Boyd, drejtoreshë e Qendrës së Partneritetit për Tranzicionin Presidencial, një organizatë jofitimprurëse që këshillon administratat e ardhshme, tha se marrëveshja nënvizon se Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një president deri më 20 janar, si dhe përfshin nënshkrimin e rregullave etike për të mos përfituar nga informacioni i vënë në dispozicion gjatë periudhës së tranzicionit.

Kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet që të fillojë ndërveprimi me agjencitë federale“, tha ajo. “Gjithçka varet nga kjo gjë”.

Gjasat janë që zoti Biden dhe zoti Trump do të diskutojnë mbi një mori temash, përfshirë politikën e jashtme.

Presidenti në largim mund t’i kërkojë zoti Trump të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Mbështetja amerikane për Kievin është vënë në pikëpyetje pas fitores së zotit Trump.

Ndërkohë presidenti i zgjedhur është zotuar t’i japë fund luftës së shpejti, por pa dhënë shpjegime se si do ta bëjë një gjë e tillë.

Zonja Jean-Pierre nuk pranoi të japë detaje rreth çështjeve që do të diskutohen në takimin mes dy udhëheqësve.

Ky do të jetë i pari takim mes zotit Biden dhe zotit Trump që nga debati mes tyre në muajin qershor, kur presidenti demokrat nuk ishte tërhequr ende nga gara.

Paraqitja e dobët e zotit Biden rriti shqetësimet në mesin e demokratëve mbi moshën e tij madhe dhe çoi në largimin e tij nga gara presidenciale.

Pas këtij zhvillimi zonja Harris u zgjodh si kandidate e demokratëve për presidente. Ajo udhëhoqi një fushatë të shkurtër që përfundoi me humbjen e saj më 5 nëntor./VOA

Postime të lidhura