zoom

Politikë

Tabaku për rritjen e pagave: Rama sheh ëndrra në diell. Nuk funksionon kështu ekonomia

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e ka cilësuar propagandë boshe në prag zgjedhjesh reformën e kryeministrit Rama për rritjen e pagave.

“Qeveria mendon se me një VKM mund të rrisë pagën minimale, pastaj pagën mesatare dhe në fund mund të përmirësojë jetën e shqiptarëve duke i larguar nga tundimi emigracionit.

Ekonomia ndërkohë funksionon ndryshe. Që të marrësh një pagë më të lartë duhet të ofrosh një vlerë të shtuar në ekonomi përmes punës. Kjo do të thotë që biznesi të ofrojë më shumë produktivitet dhe ekonomia e vendit të rritet.

Prandaj kur qeveria premton pagën mesatare 900 euro që do rritet me urdhër të kryeministrit, sheh ëndrra në diell.

Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet 2.2% për vitin aktual sipas Bankës Botërore. Një nga rritjet më të ulëta në rajon. Kjo si pasojë e shumë faktorëve përfshirë dhe strukturën ekonomike të dobët që ka ekonomia jonë.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, dhuratë edhe e politikës së mbrapshtë të taksave, është mbi 20% ndërkohë që të ardhurat e shqiptarëve janë më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor.

Ekonomia jonë nuk është konkurruese, nuk po rritet dhe kjo si pasojë edhe e sistemit të taksimit socialist që është promovuar këto 10 vite”, shkruan Tabaku

“…Loja me pagën mesatare është luga bosh e propagandës. Shqiptarët kanë sot më pak të ardhura, kursejnë gjithnjë e më pak ndërsa gjithë pushteti është përqëndruar në një elitë të vogël ekonomike që nuk ofron as konkurencë dhe as mobilitet social. Për këtë mjafton të bëni një llogari; Për vitin 2022 rritja reale e pagës, duke përfshirë dhe inflacionin, ka qenë më e ulët se sa 4%. Shifrat janë kokëforta, realiteti po ashtu nuk ka propagandë që e ndryshon!”, nënvizon Tabaku.