zoom

Lajme

Sylvinho nuk humb kohë: Kemi filluar që tani të studiojmë Serbinë

Sylvinho nuk humb kohë: Kemi filluar që tani të studiojmë Serbinë

Pas fitores së pastër 3-0 në Arenën Kombëtare përballë Andorrës, tekniku Sylvinho po përgatit ekipin e Kombëtares që tani për sfidën e radhës kundër Serbisë.

Ndeshja, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, do të luhet më 7 qershor, ndërsa në konferencën për mediat pas sfidës, Sylvinho tha se po studion ekipin e tyre që tani.

“Për sa i përket kundërshtarit të ardhshëm duhet të fillojmë ta studiojmë që tani, por jam i lumtur që kam shumë lojtarë me karakteristika të ndryshme të cilët kanë dëshirën për të qenë pjesë e Kombëtares dhe për të luajtur që mund t’i përdorim në varësi të kundërshtarëve”, deklaroi Sylvinho para mediave.

Përsa i përket fitores me Andorrën, për trajnerin kjo ishte e merituar dhe e domosdoshme.

“Gjithçka është shumë e shpejtë, ky është një grup i vështirë. Ishte një detyrim fitorja për të arritur dhe qëndruar në lojë dhe ekipin e Andorrës e njohim mirë pasi kemi luajtur më përpara, është një ekip që luan me zemër. Pas Anglisë, arritëm të bëjmë një ndeshje të mirë, pavarësisht se mendoj që edhe atje luajtëm mirë. Bëmë disa ndryshime strategjike edhe për arsye të lodhjes së lojtarëve, mendoj që e kemi merituar dhe kemi disa kohë që nuk kemi fituar ndeshje të tilla dhe me rezultat të mirë. Tani shohim përpara për qershorin. Kundërshtarët, që mbylleshin shumë mirë në mbrojtje, kanë bërë shumë mirë sot.

Kualifikimi në Botëror është pak më ndryshe dhe më i vështirë, duhet të bëjmë më shumë për të arritur aty. Ishim pak më tepër në presion pasi ishte një ndeshje që duhet ta fitonim dhe nëse nuk do të merrnim 3 pikë do të bëhej më e vështirë në vazhdim. Strategjikisht mendoj që kemi bërë një punë shumë të mirë, lojtarët kanë bërë shumë mirë dhe kanë sakrifikuar shumë edhe në ndeshjen në Wembley, ku rikujtoj që Anglia është një kombëtare që ka luajtur finalet e dy Europianëve të fundit. Në qoftë se nuk vrapon, krijon aksione dhe mbrohesh mirë mund të pësosh 5 gola, mendoj që lojtarët kanë bërë shumë mirë”, u shpreh Sylvinho./ Zoom.al

Postime të lidhura