zoom

Aktualitet

Sulmi kibernetik/ One Albania mohon të ketë dëme, por klientët nuk marrin shërbim

Kompania One Albania ka reaguar pas njoftimit se është sulmuar nga hakerët iranianë dhe e ka konfirmuar atë. Sipas kompanisë shërbimet dhe të dhënat e One nuk janë prekur aspak nga ky sulm, por abonentët e saj e kundërshtojnë.

Fillimisht, në rrjetet sociale, komentuesit shprehen të irrituar ndaj kompanisë celulare duke thënë se kanë pasur probleme me shërbimet si edhe rrjetin. Po ashtu, klientët e kësaj linje raportojnë se edhe aplikacioni i One është i paaksesueshëm.

Një ditë më parë, kur doli edhe lajmi se kompania hungareze që operon në Shqipëri është hakeruar nga të famshmit “Homeland Justice”, disa nga dyqanet e saj ishin jashtë funksionit.

Sipas njoftimit të hakerave iranianë, të shoqëruara edhe me video sasia e informacionit të aksesuar dhe të fshirë nga kompania One ishte 2 petabajt.

“Në këtë operacion, të marra së bashku, u fshinë më shumë se 2 petabajt të të dhënave të rrjetit të telekomunikacionit dhe rrjetit të brendshëm të të gjitha kompanive të lidhura, dhe të dhënat e rëndësishme do të publikohen së shpejti” shkruhej në kanalin e tyre në Telegram.

Pak kohë më parë edhe deputeti i PS-së në Qarkun e Shkodrës, Frrok Gjini, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ekonomisë, ka ngritur shqetësimin se kompania “One Albania” u ka bllokuar celularët dhe politikanëve. Më tej, ai shtoi se qytetarët po vidhen nga kjo kompani celulari dhe këtë sipas tij mund ta konstatojë vetë çdo deputet duke shkuar në dyqanet celulare. Ai ka kërkuar marrjen e masave ndaj kompanisë “One Albania”.  Të njëjtin qëndrim ka patur edhe deputeti Erion Braçe.