zoom

Aktualitet

SPAK po bën hetime me modelin e “rrethit të qepës” ndaj Beqajt, për të zbuluar lidhjet me biznesin

SPAK thellon hetimet në modelin e “rrethit të qepës” për rastin e ish-ministrit Ilir Beqaj, duke i marrë njëra pas tjetrës kompanitë e regjistruara farmaceutike, me të cilat dyshohet se ish-zyrtari socialist mund të ketë pasur lidhje.

E gjitha kjo për të shkuar në origjinën e dokumentacionit dhe zbuluar se cilët janë aksionerët e vërtetë dhe nëse ka të implikuar realë në korrupsion me koncesionet shtetërore të shëndetësisë.

Në fillim janë verifikuar të gjitha koncesionet e mëdha që ai ka miratuar kur ka qenë ministër, fituesit e tyre, si Sterilizimi apo Check-Up, kompanitë, adminiastratorët, emrat përfaqësues, kontratat noteriale, firmëtarët dhe të gjithë aksionerët e fshehtë apo të dukshëm, që mund të jenë apo bëhen objekt hetimi.

Duke shkuar dokument pas dokumenti dhe emër pas emri, gjenden edhe fijet e vërtetë, si në rastin e bashkëshortes së ish-ministrit, që nga kontrolli te “Delta Farma”, rezulton se ka pasur aksione që i ka shitur kohë më parë, ose në momentin e nisjes së hetimeve të Sterilizimit.

Kjo krijon dyshime se Beqaj ka hartuar legjislacion në favor të kompanive fituese, ose ka ndikuar që ato të fitonin, duke marrë favore të dyshuara ekonomike, në aksione biznesi. Deri tani janë gjetur dokumentacione dhe sekuestruar materiale dhe pajisje elektronike.

Mediat raportojnë gjithashtu se të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me kontrollet që BKH dhe policia, me urdhër të SPAK, po kryejnë prej mesditës së djeshme në “Delta Pharma” dhe farmaci të tjera, kryesisht në Tiranë.

Në këtë hetim të ri që ka nisur, po hetohet edhe lidhja që Ilir Beqaj ka pasur ose ka me këto kompani, dhe mënyrën sesi janë lidhur kontrata kur ky i fundit ka qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu mësohet se gjatë periudhës kur mori këtë detyrë, Beqaj ka miratuar një ligj që favorizonte kompanitë farmaceutike.

Kujtojmë se hetimet për këto kompani kanë nisur pas indicieve që SPAK ka marrë lidhur me shkeljet e pretenduara, kur ky institucion drejtohej nga Beqaj. Theksohet se ky është një hetim i ri, i cili nuk lidhet me hetimet e mëparshme për Ilir Beqajn.

Nga kontrollet e ushtruara në “Delta Pharma” dhe farmaci të tjera, janë sekuestruar dokumente që i shërbejnë hetimit, e po ashtu kompjuterë, bilancet, furnizime dhe telefona.