Aplikacion
Vodafonë Albania mban vendin e parë me 1.97 milionë abonentë. Prej këtyre 1.27 milione janë abonentë me parapagesë dhe 700 mijë me kontratë.
Tarifat celulare vijojnë të ndryshojnë, por teksa klientët joshen me oferta të ndryshme, detyrimet fikse për t’u paguar kanë pësuar një rritje me dhjetëra herë.
Për një kartë SIM të Vodafone Albania një qytetar shqiptar duhet të paguajë 5 100 lekë, ose 51 euro në vit.
15 mijë lekë ose 15 euro kushton blerja e kartës SIM; 500 lekë është vlera e kartës dhe 10 mijë lekë është pagesa e detyrueshme për të marrë një ofertë mininale. Pa ofertë, nuk mund të bëhet blerja.
Por për ta mbajtur këtë kartë aktive, çdo abonent duhet të paguajë 300 lekë ose 3 euro në muaj. Nëse pagesa nuk kryhet, numri i telefonit çaktivizohet.
Kështu, vetëm për ta mbajtur hapur një numër Vodafone, pra pa minuta për thirrje apo SMS dhe pa internet, një qytetar shqiptar do të duhet të paguajë 3 600 lekë ose 36 euro në vit, përveç tarifës së blerjes, prej 15 mijë lekeësh apo 15 eurosh. Duke e shumëzuar këtë tarifë me 1.27 milionë abonentët me parapagesë, Vodafonë Albania fiton plot 64.7 milionë euro në vit nëse përfshihet tarifa e blerjes së kartës. Pa kartën, Vodafone përfiton 45.7 milionë euro në vit.
Pak kohë më parë për të mbajtur një numër Vodafone, një qytetar shqiptar paguante vetëm tarifën e blerjes prej afro 1 mijë lekësh dhe 200 lekë çdo 6 muaj.
Ndryshimi i kësaj skeme kuptohet që ka dhjetërafishuar fitimet për kompaninë.
VODAFONE ALBANIA VS. VODAFONE NË EUROPË E RAJON
Në Gjermani për të mbajtur një numër cellular nga Vodafone, një qytetar paguan 30 euro në vitin e parë dhe 20 euro çdo vit tjetër. 20 euro paguhen në blerje të kartës SIM dhe 10 të tjera pas 6 muajsh për ta mbajtur aktiv numrin. Pra Vodafone ne Gjermani i ka tarifat 16 euro më të lira se Vodafone Albania për mbajtjen hapur të një numri me parapagesë.
Por për të mos u krahasuar me Gjermaninë, le të shohim tregun e kompanive celulare në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.
Në Maqedoninë e Veriut operojnë kompanitë T Mobile dhe A1. Të dyja ofrojnë karta SIM me 5 euro me një vlefshmëri prej 6 muajsh. Për ta mbajtur numrin aktiv duhen paguar 10 euro çdo 6 muaj ose 20 euro në vit.
Në Kosovë operojnë VALA dhe IPKO.
Për të marrë një kartë SIM të VALA, një qytetar nga Kosova paguan 7 euro ose 700 lekë, ku ka të përfshira 4GB internet, 300 minuta thirrje dhe 300 sms. Nëse dëshiron ta mbajë të hapur për 1 vit paguan 20 euro në total, ose 16 euro më pak se në Shqipëri.
Për të marrë një kartë SIM nga IPKO, një qytetar nga Kosova paguan vetëm 1 euro. Për ta mbajtur aktiv për 1 vit paguan 20 euro.
Krahasimet e mësipërme tregojnë një diferencë të qartë në çmimet e shërbimit që ofron Vodafone Albania me telefoni të tjera të shërbimit celular në rajon e Europë.
SQARIMI I VODAFONE ALBANIA
Zoom.al pyeti pranë Vodafone Albania se mbi ç’bazë janë vendosur këto tarifa.
Në një reagim përmes një zëdhënësje, Vodafone Albania sqaroi se “Klienti i nuk duhet të paguajë 300 lekë, klienti duhet të rimbush llogarinë e tij me të paktën 300 lekë në muaj, vlerë te cilën ai e shfrytëzon për nevojat e tij, për të bërë telefonata, aktivizim paketash etj. Të paktën në 2 vitet e fundit vodafone nuk i ka ndryshuar keto tarifa”.
Por Vodafone Albania nuk sqaroi se përse kjo tarifë është e detyrueshme. Thënë më thjesht, 3 mijë lekëshi nuk është një rimbushje me dëshirë e klientit, por një detyrim i Vodafone Albania, pasi, nëse kjo pagesë nuk kryhet, numri mbyllet.
Në vijim të përgjigjes, Vodafone Albania e argumentoi në këtë mënyrë pagesën prej 300 lekësh.
“Ideja është që s’mund të mbash numrin të lidhur në rrjet, ndërkohë që kompania ka mirëmbajtje rrjeti (sa më shumë numra, aq më të larta kostot) vëtëm për të marrë telefonata apo bërë zile. Duhet t’i përdoresh minimalisht çdo muaj shërbimet dhe minutat që të rrish i lidhur në rrjet dhe çmimi ështe 300 lekë.”
Siç kuptohet nga reagimi, Vodafone Albania e pranon koston, por i justifikon ato me kostot që ka kompania.
Zoom.al do t’i krahasojë tarifat e Vodafone Albania edhe me konkurrentët e drejpërdrejtë në Shqipëri. Të dhënat e grumbulluara deri më tani japin tablonë e një karteli, me dy opoeratorë që kanë pothuajse çmimet më të larta në rajon. /Zoom.al