zoom

Aktualitet

“S’kam konflikte”- Shpërthim me lëndë plasëse në banesën e zyrtarit në Memaliaj, autorët djegin mjetin

“S’kam konflikte”- Shpërthim me lëndë plasëse në banesën e zyrtarit në Memaliaj, autorët djegin mjetin

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar rreth orës 00:10 në Memaliaj, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., 67 vjeç, në fshatin Toç.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për Butjan Kapa, kryetar i njësisë administrative Qesarat. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Vetë 67-vjeçari ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme dhe ka treguar mungesë bashkëpunimi me policinë.

Pas ngjarjes, autorët dyshohet se kanë djegur automjetin me të cilin lëviznin në aksin “Krahës–Memaliaj”, pranë fshatit Qesarat, dhe më pas janë larguar në këmbë.

Policia ka nisur kontrollet në zonë për kapjen e autorëve, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.