zoom

Ekonomi

Sigurimi i makinave do të ndryshojë sërish në janar, çfarë ndodh me shoferët që kanë kryer aksidente

Sigurimi i makinave do të ndryshojë sërish në janar, çfarë ndodh me shoferët që kanë kryer aksidente

Duke filluar nga 1 janari 2026, do të ketë ndryshime të reja në sistemin e sigurimit të automjeteve.

Sipas drejtueses së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçit, nga viti i ardhshëm do të zbatohet plotësisht sistemi “bonus-malus”, i cili ndëshkon drejtuesit që kanë shkaktuar aksidente dhe shpërblen ata që kanë një histori të pastër në qarkullim.

“Drejtuesit e mjeteve që kanë qenë pjesë e aksidenteve gjatë këtij viti do të paguajnë një tarifë më të lartë sigurimi në vitin e ardhshëm. Ndërsa shoferët që nuk kanë pasur incidente do të përfitojnë ulje”, deklaroi Kaçi.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, ajo iu përgjigj edhe pyetjes së deputetit Erion Braçe, i cili kërkoi të dinte nëse rregullorja është bazuar në një model evropian apo është hartuar sipas standardeve shqiptare.

“Nuk ka një model të unifikuar që mund t’i përshtatet çdo vendi. Rregullorja është përshtatur sipas kushteve të tregut tonë. Ndoshta nuk është perfekte, por është një hap i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve,” u shpreh Kaçi.

Ajo sqaroi gjithashtu se 3.8% e drejtuesve të mjeteve, bazuar në statistikat e dëmeve, do të penalizohen me çmime më të larta sigurimi, ndërsa pjesa tjetër do të përfitojë bonuse në çmim.

Kjo nismë, sipas AMF-së, synon të ulë numrin e aksidenteve dhe të nxisë një kulturë më të kujdesshme në drejtimin e automjeteve./ Zoom.al

Postime të lidhura