Aplikacion
Më shumë se 300 emigrantë që po shkonin drejt Mbretërisë së Bashkuar verën e kaluar u rrëmbyen, u torturuan dhe u kërcënuan se do t’u hiqnin organet.
Të rinjtë, të gjithë nga Kurdistani i Irakut, u kapën në Libi nga një milici që kërkoi një shpërblim prej 5,000 dollarësh nga secila prej familjeve të tyre dhe kërcënoi se do t’u merrte veshkat robërve nëse pagesa nuk do të bëhej menjëherë.
BBC informon ka komunikuar me disa pengje që janë liruar dhe ka parë prova fotografike ku vërtetohet se u janë nënshtruae operacioneve.
Ish-robërit treguan prova të torturës dhe thanë se ishin mbajtur në kushte të vështira, me gati 180 persona që ndanin një qeli.
Të paktën një peng dihet se ka vdekur dhe nuk është e qartë se sa prej tyre mbeten akoma robër.
Milicia supozohej se do t’i udhëhiqte migrantët përmes Libisë drejt bregdetit të Mesdheut. Megjithatë, kishte nisur një mosmarrëveshje për pagesën me kontrabandistin kurd të Irakut, Noah Aaron, i cili kishte organizuar udhëtimin e migrantëve.
Aaron tani po vuan një dënim me 10 vjet burg në Francë për vepra të ndryshme penale të pastrimit të parave dhe kontrabandës.
Detajet e rrëmbimeve dolën në dritë gjatë një hetimi të kohëve të fundit të BBC-së mbi një tjetër kontrabandist, Kardo Jaf, i cili çoi në arrestimin e tij muajin e kaluar.
Dy kontrabandistët besohet se kanë punuar së bashku në të kaluarën. Të dy janë nga qyteti i Ranyas në Kurdistanin irakian, një rajon i mbushur me rrjete aktive kontrabande, sipas një raporti nga grupi i ekspertëve britanikë, Chatham House.
Në shkurt, një ekip hetimor i BBC-së po bënte pyetje në lidhje me Jaf në Ranya, kur ata u kontaktuan nga një burrë vendas i cili tha se djali i tij kishte qenë një nga personat e marrë peng.
Ai u shpreh se banda e kontrabandistëve të Aaron i kishte marrë familjes së tij mijëra dollarë për organizimin e udhëtimit për në Mbretërinë e Bashkuar, i cili do të përfshinte udhëtimin nëpër Afrikën veriore, pastaj nëpër Mesdhe në Evropë.
Rruga do të kalonte nëpër Libi, ku pjesa më e madhe e saj kontrollohet nga milicitë rivale dhe rrjetet e kontrabandistëve mbështeten në bashkëpunimin e tyre.
Gjatë verës së vitit 2025, grupe të njëpasnjëshme emigrantësh që kishin udhëtuar në Libi nga Kurdistani irakian u çuan në një kompleks të ruajtur dhe u burgosën.
Milicia më pas kërkoi 5,000 dollarë për secilin peng, duke pretenduar se Aaroni nuk kishte arritur t’i paguante ato për një marrëveshje të mëparshme. Nëse paratë nuk dorëzoheshin shpejt, familjet u paralajmëruan, pagesa do të merrej “me një veshkë”.
Libianët dërguan gjithashtu foto dhe video të pengjeve, shumë prej të cilave ishin shqetësuese ose të dhunshme. Në njërën prej tyre, një i ri u filmua ndërsa i thanë se po e çonin te një mjek për t’i hequr veshkën.
Babai i pengut tha se kishte paguar shpërblimin. Djali i tij ishte midis 110 pengjeve që u kthyen në shtëpi në janar, me një aeroplan të organizuar nga qeveria irakiane. Megjithatë, ai tregoi një foto që tha se djali i tij e kishte dërguar ndërsa ishte në robëri, duke shfaqur një shenjë që ata kishin frikë se ishte nga një heqje e organeve.
Brenda një kohe të shkurtër, dhjetëra njerëz të tjerë kontaktuan me BBC, shumë prej të cilëve tregonin fotografi të ngjashme.
Njëra nga fotot iu treguar një konsulenti në Mbretërinë e Bashkuar, i cili tha se shenjat dukeshin në përputhje me llojin e prerjeve të bëra gjatë një operacioni në veshka. Megjithatë, nuk kemi qenë në gjendje të verifikojmë nëse ka ndodhur heqja e organeve.
Rrëmbimi për shpërblim është dokumentuar gjerësisht përgjatë rrugëve të migrimit përmes Libisë. Grupet kriminale janë në gjendje të shfrytëzojnë kontrollin e kufizuar shtetëror në disa zona duke i bërë hetimet dhe ndjekjet penale veçanërisht sfiduese.
Shumë nga pengjet tani janë liruar. Disa familje e paguan shpërblimin menjëherë, por autoritetet kurde dyshojnë se pengje të tjera mund të kenë paguar me organet e tyre të brendshme.