Aplikacion
Lexoni njoftimin e plotë:
Ditën e djeshme, rreth orës 14:40, jemi njoftuar me telefonatë në Sallën Operative, nga shtetasja F. V., se djali i saj i mitur i vitlindjes 2013, kishte dalë që në orën 08:00 nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më në banesë. Më pas, rreth orës 15:30, kjo shtetase është paraqitur për të bërë kallëzim për humbjen e djalit të saj.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit nëpërmjet telefonatës që ka bërë kjo shtetase janë organizuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, për kërkimin dhe gjetjen e djalit të mitur. Duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, shërbimet kanë marrë informacion, kanë punuar për grumbullimin dhe administrimin e provave dhe si rezultat kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.
Mbi bazën e vlerësimit të provave, pas kontrollit në ambientet e banesës së shtetasit Klodian Çalamani, është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë në oborrin e banesës së këtij shtetasi.
Shërbimet e Policisë menjëherë kanë bërë kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar, në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.
Shtetasi Klodian Çalamani dyshohet se e ka goditur me send të fortë (kazmë) në kokë, fëmijën e mitur dhe më pas e ka groposur atë në oborrin e banesës së tij.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një lopatë, një kazmë, një biçikletë, rroba të autorit dhe njolla gjaku, të cilat u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Klodian Çalamani, 38 vjeç, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, ndaj të miturit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
Nga ana e grupit hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet për të sqaruar me detaje motivet e kësaj ngjarjeje.