Aplikacion
Sipas burimeve nga grupi hetimor, Jorgo Goro u prangos sapo doli nga një lokal.
Ndërkohë që ndodhej në restorant me miqtë e tij, agjentët e SPAK po e mbanin nën vëzhgim. Ata pritën derisa Jorgo Goro doli nga lokali, për t’i vënë më pas prangat dhe për ta shoqëruar drejt Tiranës.
Lokali ku u arrestua Jorgo Goro është në pronësi të kryetarit të fshatit Dhërmi, Aleksi Marko. Biznesi, sipas burimeve, iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm deri në orët e vona të mbrëmjes nga grupi hetimor.
Jorgo Goro akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste.
Sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin i cili mbante detyrën e Drejtorit të Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Himarë, pa bërë asnjë verifikim konkret sipas ligjit , kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të shtetasit Stavri Mehilli.
Po ashtu, SPAK e akuzon Jorgo Goron se në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, dokumentacionin e një prone bujqësore prej 5080 m2, e ka kthyer pronë shtet, ku më pas janë kryer transaksione.
Nën hetim nga spak janë edhe Bilbil Aliaj, ish-kreun e Kadastrës Vlorë,Vezir Gjikoka ish-jurist dhe Jerasimo Bashi ish-drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashkinë Himarë.