Aplikacion
Një zjarr i madh shpërtheu pasditen e së mërkurës në zonën Achlia të Lasithit, në Kretë, duke dalë jashtë kontrollit dhe shkaktuar dëme të mëdha.
Flakët përfshinë banesa dhe detyruan evakuimin e banorëve, shumë prej të cilëve u shpëtuan nga plazhet përmes ndërhyrjes detare me anije.
Rreth orës 20:30, autoritetet lëshuan një alarm emergjent për zonat Agia Fotia, Achlia, Galini, Ferma dhe Koutsounari, duke kërkuar evakuim të menjëhershëm drejt Ierapetrës. Guvernatori i Kretës, Stavros Arnaoutakis, paralajmëroi një “natë të vështirë”, duke vënë theksin tek mbrojtja e jetës dhe pronës.
Ndërkohë, janë dërguar përforcime nga Athina dhe të gjitha strukturat shtetërore janë mobilizuar në terren. Deri tani, janë raportuar disa persona të shtruar në spital me probleme në frymëmarrje dhe lëndime të lehta. Shërbimi emergjent EKAB është në gadishmëri të lartë me tetë ambulanca.
Zyrtarët lokalë theksojnë se përpjekjet për përballimin e flakëve do të vazhdojnë gjatë gjithë natës, përballë sfidave të mëdha për shkak të erërave të forta dhe drejtimit të paqëndrueshëm të tyre.