zoom

Ekonomi

Shqiptarët tërhoqën kursimet nga bankat gjatë muajit shkurt

Depozitat e individëve, bizneseve dhe institucioneve shtetërore në banka kanë shënuar një rënie të fortë gjatë muajit shkurt në raport me janarin e po këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në shkurt, stoku i depozitave në sistem zbriti në 1.28 trilionë lekë, me një tkurrje prej 15 miliardë lekë, ose -1.2% në krahasim me muajin e mëparshëm.

Tkurrja është më e forta që nga prilli i vitit 2020, por në atë kohë ishte më shumë efekt statistikor për shkak të luhatjeve të forta të kursit të këmbimit në momentin e fillimit të pandemisë që rritën artificialisht depozitat në euro (të cilat raportohen në monedhën vendase) në mars dhe i ulën në prill.

Përveç prillit, periudha kur janë shënuar tkurrje më të mëdha të depozitave është në tetor-nëntor 2008, kur sistemi bankar vendas vuajti për disa muaj pasojat e krizës globale financiare.

Në shkurt të këtij viti rënia ka ardhur si nga kursimet në monedhë vendase, ashtu dhe në atë të huaj. Depozitat në lekë u tkurrën me 1% në krahasim me janarin (-5 miliardë lekë) dhe ato në euro me -1.3% (-9.6 miliardë lekë). Sërish në ecurinë e depozitave në euro ka ndikuar dhe nënçmimi i euros.

Rënia e kursimeve në lekë u ndikua kryesisht nga tkurrja e depozitave të korporatave, ndërsa ato në valutë si nga individët ashtu dhe nga bizneset.

Ritmet e shtimit të kursimeve në sistemin bankar janë ngadalësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Me bazë vjetore (shkurt 2023/shkurt 2022) kursimet janë zgjeruar me 4.2%. Përkatësisht një vit më parë, zgjerimi vjetor ishte 10.1%.

Kursimet në valutë vijojnë të mbizotërojnë, duke zënë 57% të totalit në fund të muajit shkurt.