zoom

Ide & Blog

Shqipëria dhe Inteligjenca Artificiale – Si t’i bëjmë algoritmet që të flasin shqip?!

Nga Fatos Fico

“Qifqi është një gatim tradicional i Gjirokastrës, qifqinë vërtete e gjen vetëm atje,…”.

Ndërsa tekstin lidhur me gatimin po e dërgoja në një nga sitet e Inteligjencave Artificiale (IA) që bëjnë përkthime, e të postohej si një status për nxitjen e turizmit në anglisht, më doli përpara një status tjeter në mediat sociale drejtuar turistëve për ushqimet tradicionale shqiptare, i bërë me përkthim online, ku flija gatimi tradicional, shumë i modës tani, në anglisht ishte përkthyer si “sleep” (gjumë), specat e mbushur me mish dilnin si gjellë vegjetariane shumë të shijshme, byrekët me mish, qepë, djath dilnin si brumë me aroma mishi e djathi, gati si çimçakëzë.

Fjeta më i qetë duke ditur që le të lodhen e t’a kuptojnë vetë lexuesit e huaj aromën e shijen e qifqive, se sa të ja lë në dore inteligjencës artificiale me përkthimet e saj fjalë për fjalë.

Paragrafi më sipër tregon problemet që mund të hasen kur përdor IA. Por tentimi për t’a shkruar këtë material me IA, me disa ndërhyrje, e me modelin e duhur, do të ishte pothuaj e pamundur të dallohej nëse ishte shkruar nga njeriu apo “makina”.

Kjo edhe sepse tashmë në Shqipëri syri i lexuesit është mësuar me dhjetëra artikuj që botohen thjesht duke i përkthyer automatikisht nga gjuhë të huaja, me IA, e shpesh pa asnjë korrigjim. Në fund të këtij shkrimi kam sjellë një artikull të shkruar me IA, por edhe të redaktuar.

Zhvillimi i shpejtë i IA, i paparashikuar për përparimin në aq pak kohë, sado e frikshme, është bërë pjesë e jetës së përditshme dhe një forcë pa të cilën tashmë shumë sektorë nuk mund të veprojne më pa të. Efektet dhe ndikimi më i madh do të jetë në të ardhmen e afërt ku pothuaj çdo gjë do të kalojë nëpërmjet IA. Malta një vend i vogël me 500 mijë banorë ka 56 IA startups, një startup për 9,500 banorë. Shtetet e Bashkuara me një popullësi 330 milion kanë rreth 24 mijë të tilla ose një për rreth 14 mijë banorë.

Rinovimi, jo vetëm si fasadë i ish Piramidës në Tiranë u pompua se do të bëhej qëndra më e madhe teknologjike e gjenerator i startup në Ballkan. Startup të IA në Shqipëri numërohen me gishtat e duarve.

Shqipëria duket e izoluar, gati si përherë dhe vazhdon të tiganiset me problemet e saj shumë dimensionale të korrupsionit, krimit, pushteteve, emigracionit e turizmit. Ekonomia ka mbetur ekstraktive, përfshirë ndërtimin e turizmin, të mirave të natyres nuk ju shtohen vlera të krijura nga njeriu, e as nuk mbrohen, por krijohen vlera përjashtuese, diskriminuese, e të shfrytezimit të aseteve publike e natyrore të papërsëritshëm nga pak përfitues.

Në vendet e zhvilluara mediat e kanë të vështirë të arrijne tek njerëzit e zakonshëm, zhvillimi i shpejtë i IA në përpunimin e të dhënave shumë të mëdha është edhe si pasojë e kësaj. Si mund të arrijmë dhe të kuptojmë çfarë kërkojnë njerëzit në rastin më të mirë, kjo për shitjet, për produktet, shërbimet, trendet, zgjedhjet, ose si t’i manipulojmë ata, në rastin më të keq. Në Shqipëri njerëzit ulen përpara ekraneve televizive apo të telefonëve, e opinionet formohen nga pak njerëz, analiste, apo shoë si BB, por që sidoqoftë janë pak më poshtë se politika e politikanët të cilët zënë hapësirën primare të komunikimit.

IA në Shqipëri praktikisht është ende një analist, dikush që i dërgojnë dosjet hetimore përpara gjyqtarëve si dhe politikanët që e dinë se çfarë, e si do të votohet, përpara se të votohet. Por, pse po flasim për politikanë, analistë e ekrane tv kur inteligjenca artificiale përdoret kudo tjetër, psh në mjekësi ku shpejt do të kemi mjekime në nivel të ADN, në programime softëaresh, në skenarë ekonomike, në tregtinë online, në parashikimin e klimës, në bujqësi ku përdorimi i helmeve mund të ulet me 90%, në luftra si ajo në Ukrainë, ku skenaret, planifikimi, e veprimet bazohen në përpunimin e mijëra të dhënave e parametrave në kohë reale që nuk bëhen dot nga teknologjia e vjetër as për ditë të tëra. Pjesa më e dukshme mbeten pikturat, fotot, poezitë, artikuj e madje libra që shkruhen me IA.

IA ashtu si çdo mendje ka nevojë për ushqim, madje pse është në rritje të shpejtë, për shumë ushqim. Ky ushqim janë të dhënat, në formë teksti, a shifrash që merren nga hapësira dixhitale duke i ‘tretur”, bërë pjesë të memories së tyre, libra, artikuj shkencore, programe, kode, revista, gazeta, atë çfarë përmban interneti si tekste, statuset online të Facebook apo të mediave sociale të tjera.

Këtu nuk po futemi në diskutimin kjo është e mirë apo e keqe, shumë shkrimtarë, artistë, profesionistë, etj. janë kundër përdorimit të materialeve të tyre nga IA. Fakti është që kjo ndodh, e në një shkallë, sasi informacioni e të dhënash të paimagjinuara më parë. Të parat që merren dhe “përpunohen” për të ndërtuar hapësiren me të dhëna ku funksionojnë modelet janë të dhënat publike online, gazetat, publikimet, studimet, postimet.

Ushqimi më i madh që merr IA nga Shqipëria është pikërisht politika e ditës dhe çdo gjë lidhur me të. Një pyetje të bërë kohë më parë në fillimet e Chat GTP lidhur me mbjelljet e pemëve, përveç anës teknike IA fliste dhe për pyllin orbital të Tiranës si sukses e shembull, sepse aq shumë artikuj ka patur në media që bashkëlidhnin mbjelljen e pemëve me pyllin orbital. Me përparimin e IA kuptohet që përgjigja do të jetë vetëm teknike, kur pyetja është teknike, por sa artikuj a materiale janë në shqip që mund të gjejë IA në Internet lidhur me mbjelljen e pemëve, riparimin e makinave, etj?

Shqipëria është një vend i vogël, e lidhur relativisht vonë me rrjetin. Për me tepër mediat sociale e kanë zhdukur pothuaj përdorimin e Internetit klasik dhe pak materiale “teknike” botohen në shqip. Profesorë shqiptarë të modeleve gjuhësore të lidhura me IA në universitetet europiane theksonin pikërisht se ka shumë pak tekste si burime në gjuhën shqipe dhe kjo është një pengesë e madhe për proçesimin e gjuhës. Janë me qindra portale dhe gazeta online, por pothuaj të gjitha kopjojnë lajmet nga njëra tjetra dhe kanë artikuj kryesisht “click bait” vetëm për të kapur pëlqyeshmëri e shikime. Të rrallë janë artikujt të shkruar në gjuhë letrare, që përmbushin standartet e botimit, të formëzuar logjikisht, që bëjnë analizë, nxjerrin konkluzione e që dalin përtej politikës së ditës . Sa media e publikime të tilla ka online ka në hapesirën shqiptare?

Më shpejt, se sa më vonë IA do të jete baza ku do të fillojë çdo projekt edhe ne Shqipëri, nuk ka nevojë të rishpiket rrota. Detyrat në shkollë, programimi, menaxhimi i një hoteli, menaxhimi i një ferme, i një biznesi, përkthimet masive, avokatia, historia, poezia e çdo gjë që ju shkon ndër mend do të ketë një IA të vetin. Në Linked-In shumica e CV -ve atyre që kërkojnë punë tani përmendin njohuri dhe aftësi të përdorimit të IA.

Për këtë duhet t’i mësojmë shqip modeleve dhe këtë nuk mund t’a bëjnë portalet e klikimeve dhe politika e ditës. Biznesi real nuk bëhet me batuta, e as me histori. Modelet gjuhësore trainohen, shumë herë unë i kam korrigjuar fjalët apo shprehjet e përdorura në shqip nga modeli. Shoqëria shqiptare këto modele të krijura nga të tjerët me miliarda investime duhet t’i përdorë, si rrallë herë në histori gjendemi në të njëjtin stacion me të tjerët. Sidoqoftë për modele të caktuara të IA për shkak të mungesës së materialeve në shqip, gjuha angleze mbetet e para. IA dhe kërkimi shkencor duhet të jenë pjesë e rendësishme e buxhetit të përvitshem dhe afatgjatë publik të vendit. E jo vetëm kaq, një diskutim që bëhet është çfarë do të ndodhë me ata puna e të cilëve zëvendësohet nga IA?

Të ardhurat universale për të gjithë po diskutohen seriozisht si një mundesi rishpërndarje që IA mos të shërbejë si pasurim i shpejtë për pak biznese e njerëz, por të kemi rishpërndarje të drejtë. Trainimi e ritrainimi i profesionisteve, i njerëzve të aftë për punë gjatë gjithë jetës, duhet zhvilluar edhe më tej, me zhvillimet e IA.

Shkalla dhe impakti i IA do të jetë shumë më i madh se ai i revolucioneve të mëparshëm teknologjike, makinat me avull, motorri me djegie të brendshme, kompiuterat, interneti, makinat elektrike.

IA ndryshon nga informatika klasike sepse ka mundësi të vetëkorrigjohet, përmirësohet, adaptohet. Ndërsa një kompiuter më parë kishte njohuri, të dhëna, e proçesim të kufizuar, IA e sistemet e lidhura me të nuk kanë kufizime në njohuri, të dhëna dhe proçesim, madje teorikisht gjatë punës a ciklit “rikrijojnë” një sistem të ri më të avancuar se i pari. E ky përmirësim duket se nuk ka fund, e aty bazohet frika se makinat gjithmonë e më të afta do të zëvendësojnë terësisht njerëzit. E këtu hyn përsëri politika njerëzore, duke qënë njeriu krijesë shoqërore e politike, duhen politika që ne të jemi një hap përpara IA.

Brezat e fundit të shqiptarëve kanë shpenzuar jo pak për arsimimin e të rinjve brenda dhe jashtë vendit. IA shqiptare ka nevojë për ata jo vetëm figurativisht, ndryshe do t’a humbim edhe këtë mundësi. Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë mendon se vendi mund të konkurojë në tregun boteror me makina të blinduara të asembluara nga një biznes i sukseshëm i mjeteve te specializuara.

Ndoshta, nxitur nga kjo aspiratë një tv kombëtar bënte një kronike me dy nxënëse gjimnaziste të cilat kishin krijuar një bombë dore, me mjete rrethanore, si kanoce alumini e gaz metan. “Kosto e ulët, e hidhet larg se është e lehtë” – thonin ato pas një viti kërkimi për këtë projekt shkollor me bomba dore, e shpresonin se do të ndryshonin dhe mënyrën si bëhet lufta sot. Ministri nuk lë vend për dyshime, Shqipëria mund të prodhojë armë e teknologji ushtarake, thotë ai, e shton se ka të dhëna se janë rreth 4000 shqiptarë me doktoratura jashtë vendit, pra sipas tij e kemi potencialin njerezor për të bërë shumë gjëra.

A mund te fillohet me një startup e cila përmirëson gjuhën shqipe dhe bazën e të dhënave të modeleve të ndryshme të IA në mënyrë që ato të përdoren edhe në Shqipëri nga ata që nuk dinë anglisht?

(Materialet ilustruese të këtij shkrimi janë realizuar nga IA)