zoom

Aktualitet

Shpërthimi në magazinën e deputetit Bujar Çela, SPAK merr në dorë çështjen

Gjykata e Fierit ka shpallur moskompetencën për gjykimin e çështjes së shpërthimit në magazinën e deputetit Bujar Çela dhe e ka dërguar atë tek Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sipërmarrësi i punimeve në magazinën e shërbimeve të deputetit të Lushnjës, Leonard Gjini, doli sot para togave të zeza në gjykatën e Fierit,  për t’u njohur me masën e sigurisë. Për të u komunikua arrest me burg për veprën penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Ai është personi i vetëm i arrestuar një jave pas shpërthimit të bombolës.

I arrestuari nuk e ka pranuar akuzën, me pretendimin se ka lidhur kontratë të rregullt me deputetin për të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurrë punën dhe se punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë se ndërtimit që ai ka.

Megjithatë, Gjykata e Fierit e ka mbajtur në burg me arsyetimin se pavarësisht mos fillimit të punës nga kompania Gjini, ai duhet të ndalonte punimet nga të tjerët, pasi vetëm ai ishte i autorizuar me kontratë  ndërtimi.

Shpërthimi i pak ditëve më parë në Lushnjë la të vdekur at e bir, Roland dhe Elidion Hoxha, brenda një eskavatori dhe mbetën të plagosur 7 të tjerë. Pronar i biznesit ishte deputeti socialist Bujar Çela, një ndër të plagosurit, i cili sipas hetimit po kryente punime pa leje./Zoom.al