zoom

Sport

Shorti i Kupës së Shqipërisë, cilat do jenë përballjet

Kupa e Shqipërisë ka hyrë në fazën çerekfinale të saj, ku sigurisht dominojnë skuadrat e kategorisë Superiore dhe vetëm 2 ekipe përfaqësojnë Kategorinë e Parë, Korabi dhe Dinamo.

Kështu që në shortin e hedhur në ambientet e Air Albania Stadium ishte e paevitueshme vendosja përballë njëra-tjetrës të ekipeve më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Sfida që tërheq vëmendje të madhe në këtë short të Kupës së Shqipërisë është ajo mes Teutës dhe Kukësit, dy skuadra që do të luajnë mes tyre edhe pasditen e kësaj të premte në kuadër të javës së 21 të Kategorisë Superiore.

Në kampionat durrsakët kanë 7 pikë më shumë se verilindorët që duke qenë se janë larg pretendimeve për titull do të kërkojnë që t’i shkojnë Kupës së Shqipërisë deri në fund, objektiv që e ka edhe Teuta duke qenë se është një kompeticion që të kualifikon në evenimentet evropiane. Tjetër ndeshje interesante çerekfinale e Kupës së Shqipërisë është ajo mes Laçit dhe Partizanit. Edhe në këtë rast ironia e fatit deshi që këto dy skuadra t’i vendosë përballë njëra-tjetrës këtë fundjavë në kampionat. Si Laçi dhe Partizani janë në pozita të tilla që do të kërkojnë të marrin maksimumin në këtë sezon teksa janë në garë edhe për titullin në Kategorinë Superiore duke qenë se diferencat me Vllazninë kryesuese nuk janë shumë të mëdha.

Përsa i përket skuadrës shkodrane, shorti e ka favorizuar të paktën në letër teksa e ka vënë përballë Korabit, ndërkohë që sfida tjetër çerekfinale e Kupës së Shqipërisë është ajo mes Dinamos dhe Skënderbeut. Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen në 17 mars dhe janë unike, d.m.th. jo me sistem vajtje-ardhje që do të thotë se skuadrat gjysmëfinaliste do të përcaktohen për 90 minuta ose 120 minuta e gjuajtjet e penalltive nëse do të jetë e nevojshme.