zoom

Aktualitet

Shkresa/ PD kërkon nga Kuvendi komision hetimor për fluturimet e Ramës

Partia Demokratike depoziton në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për udhëtimet me charter të Edi Ramës.

36 Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë depozituan në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor “Për verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve me avion jashtë shtetit të Kryeministrit në detyrë, nga data 10.09.2013 deri në datë 31.10.2022”.

Në kërkesë theksohet se faktet e publikuara janë tronditëse.

“Kryeministri rezulton të ketë udhëtuar 137 herë jashtë shtetit me avion privat të tipit ‘charter’, pa llogaritur udhëtimet e tjera me avion të linjave të zakonshme me intervale 3-4 ditore njëri nga tjetri. Rezulton se edhe gjatë krizës së pandemisë Covid-19, Kryeministri ka kryer rreth 20 udhëtime me avion ‘charter’. Shifra e 137 udhëtimeve ‘charter’ është dy herë më shumë se numri i udhëtimeve të ish-Presidenti amerikan Xhorxh Ë.BUSH, i cili, në dy mandate, kishte kryer 74 fluturime me avionin presidencial amerikan “Air Force One”, thuhet në kërkesë.

Të dhënat rreth udhëtimeve të kreut të qeverisë Edi Rama u publikun nga “Holeland Justice”, grupi që ka marrë përsipër sulmet kibernetike ndaj faqeve online të institucioneve.

Pavarësisht numrit të fluturimeve, Rama ka deklaruar se nuk ka abuzuar me fondet publike.

Zoom.al e ka ndjekur këtë çështje vazhdimisht, duke tentuar të hedhë dritë mbi shpenzimet e kryeministrit, veçanërisht në kohët e krizave që ka kaluar vendi me tërmetin, pandeminë dhe tani me çmimet e produkteve ushqimore, naftës dhe energjisë.
Zoom.al  ka bërë përllogaritjet e shpenzimeve referuar ekspertizës së faqeve të ndryshme të internetit, për të treguar me saktësi shpenzimet e z. kryeministër gjatë udhëtimeve të tij me charter. Ka hulmtuar mbi të gjitha destinacionet në të cilat ka udhëtuar kryeministri, referuar të dhënave të sistemit TIMS të publikuar nga hakerat iranianë, për të përllogaritur shpenzimet që ka bërë kryeministri.

Zoom.al i është drejtuar disa herë me kërkesë për informim Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për faturat që ka paguar për avionin “Ismaili”, por ka marrë përgjigje refuzuese edhe pse shpenzimet nuk janë sekret shtetëror.